Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim në procesin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gjatë paraqitjes së deklaratave përmbyllëse, prokurori i specializuar Joshua Hafetz deklaroi se përpjekjet për të ndërhyrë në procesin gjyqësor përbëjnë kërcënim për administrimin e drejtësisë.
Prokuroria pretendon se Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit tentuan të ndikonin në dëshmitë e personave të thirrur në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sipas saj, këto pretendime mbështeten në incizime dhe dokumente të siguruara gjatë hetimit.
Mbrojtja e Thaçit i kundërshtoi akuzat, duke argumentuar se provat e paraqitura janë të dobëta nga pikëpamja ligjore dhe faktike.
Avokatja Sophie Menegon deklaroi se Prokuroria po kërkon dënimin e Thaçit për të justifikuar masat e marra ndaj tij, përfshirë regjistrimin e fshehtë të bisedave dhe telefonatave me familjarët. Ajo kërkoi lirimin e ish-presidentit nga të gjitha akuzat.
Prokuroria kërkoi dënime me burg edhe për të akuzuarit e tjerë në këtë proces. Për Hajredin Kuçin kërkoi nëntë muaj burg, ndërsa për Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Bashkim Smakajn nga tre vjet burgim secili.
Thaçi përballet me tri akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave dhe me tetë akuza për shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Të pestë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas Prokurorisë, nëse Thaçi shpallet fajtor, dënimi për pengim të drejtësisë do të vuhej pas çdo dënimi të mundshëm në procesin tjetër ndaj tij.
Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Paralelisht, ai po gjykohet së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt i kanë mohuar akuzat.


