Rama për marrëveshjen me Italinë: Deri në 2030, edhe 2050 sa të jetë “motra ime”

03 Nov 2026 • 15:02
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama mbrojti marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe kërkoi që integrimi europian i vendeve të rajonit të mbështetet në meritë, gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo në “Euronews Enlargement Summit”.

I pyetur për të ardhmen e marrëveshjes pas vitit 2030 dhe ndikimin që mund të ketë anëtarësimi i Shqipërisë në BE, Rama e përshkroi atë si një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje një sfide të madhe.

Ai tha se çështja e emigracionit përdoret edhe për qëllime të politikës së brendshme nga partitë që synojnë të fitojnë vota.

Reklamë Ola

Kur gazetarja këmbënguli për periudhën pas vitit 2030, Rama iu përgjigj me humor, duke iu referuar kryeministres italiane Giorgia Meloni.

“Doni të nxirrni një titull për ‘motrën time’ në Romë, por nuk ua jap. Marrëveshja do të vijojë të jetë në fuqi deri në 2030, edhe 2050 për sa kohë aty të jetë ‘motra ime’”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Anëtarësimi gradual: Përfitimet të lidhen me rezultatet

Për mundësinë e një anëtarësimi të pjesshëm apo gradual në BE, Rama tha se debati lidhet me të ardhmen e vetë Europës dhe jo vetëm me Shqipërinë apo Malin e Zi.

Ai kërkoi që të gjitha vendet aspirante të përfshihen në proces në kushte të barabarta, ndërsa përparimi dhe përfitimet të varen nga rezultatet.

“Të jemi të gjithë në tryezë dhe të anëtarësohemi sipas meritës. Edhe Serbia mund të jetë në tryezë, por nëse nuk bën asgjë, nuk merr përfitime”, deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, një qasje e tillë do të forconte lidhjen e rajonit me Bashkimin Europian dhe do t’i dërgonte një mesazh edhe Rusisë.

Duke përdorur metaforën e familjes, ai tha se vendet kandidate duhet të afrohen brenda “shtëpisë” europiane dhe më pas të përballen me pasoja nëse nuk përmbushin detyrimet, në vend që të mbeten jashtë duke kërkuar vazhdimisht anëtarësimin.

Rama u ndal gjithashtu te pritshmëritë e qytetarëve për ekonominë, duke theksuar se përmirësimi i treguesve dhe rritja e turizmit duhet të reflektohen në jetën e tyre të përditshme.