Zjarri që prej ditësh vijon të jetë aktiv në zonën e Priskës së Madhe është përhapur drejt Lundrës, Farkës së Madhe dhe Gurrës, duke rritur rrezikun për banorët dhe pronat në këto zona.
Flakët kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi dhe ullishte, ndërsa deri tani raportohet se një banesë e pabanuar është djegur. Për shkak të rrezikut, tre familje janë evakuuar.
Banorët kanë raportuar gjithashtu se dhjetëra bagëti kanë mbetur të bllokuara në zonat e prekura nga zjarri, ndërsa një automjet është konstatuar i djegur plotësisht.
Situata ka shkaktuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Për shkak të ndërprerjes së energjisë, është fikur stacioni i pompimit të ujit në Priskë, duke sjellë ndërprerjen e furnizimit me ujë për banorët e Lundrës.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë bëri të ditur se do të informojë qytetarët sapo situata të normalizohet dhe të mundësohet rikthimi i furnizimit.
“Për shkak të situatës së zjarreve në zonën e Priskës dhe Farkës, stacioni i pompimit në Priskë është fikur pasi ka ndërprerje të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, në zonën e Lundrës do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë”, njoftoi UKT.
Ndërkohë, zjarri vijon të mbetet aktiv dhe situata po monitorohet, ndërsa përhapja e flakëve drejt zonave të banuara mbetet shqetësimi kryesor.


