Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare të turizmit. Revista spanjolle “¡HOLA!” i ka kushtuar një artikull të gjerë vendit, duke e paraqitur si një destinacion që ndërthur historinë, kulturën, natyrën dhe bregdetin.
Në artikull përmenden disa nga pikat më të njohura turistike të vendit, mes tyre Tirana, Kruja, Durrësi, Berati, Gjirokastra, Syri i Kaltër, Saranda, Ksamili dhe Butrinti.
Tirana përshkruhet si një kryeqytet në transformim, me një identitet urban që po ndryshon me shpejtësi, ndërsa Kruja veçohet për Pazarin e Vjetër, kalanë dhe trashëgiminë historike.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Beratit dhe Gjirokastrës, të cilat revista i vlerëson për arkitekturën karakteristike dhe statusin e tyre si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Një tjetër ndalesë e rekomanduar është Syri i Kaltër, i përshkruar si një nga atraksionet natyrore më të veçanta të jugut të Shqipërisë.
Artikulli ndalet gjithashtu te Riviera Shqiptare, me Sarandën dhe Ksamilin në fokus për ujërat e kristalta, plazhet dhe peizazhet mesdhetare.
Butrinti paraqitet si një nga vendet ku historia dhe natyra bashkohen, falë rrënojave antike dhe pozicionit të tij në një zonë me vlera të mëdha natyrore.
Revista spanjolle i kushton hapësirë edhe gastronomisë shqiptare, duke përmendur gatime tradicionale si fërgesa e Tiranës, tava e kosit, qifqitë, si dhe pjatat me peshk dhe fruta deti.
Sipas “¡HOLA!”, Shqipëria po konsolidohet si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët që kërkojnë një kombinim mes qyteteve historike, natyrës, kulturës dhe pushimeve në det.


