Wadephul: BE-ja duhet të mbajë premtimin ndaj Ballkanit Perëndimor, po humbet besueshmërinë

01 Oct 2026 • 22:13
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se në të kundërt blloku rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe ndikimin e tij në rajon.

Duke folur pas takimit të ministrave të Jashtëm në Malin e Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit, Wadephul tha se zgjerimi i BE-së ndodhet në një moment vendimtar.

“Jemi në një udhëkryq me procesin e zgjerimit të BE-së”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Ministri gjerman rikujtoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor u konfirmua që në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ndërsa Procesi i Berlinit u lançua nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel në vitin 2014 për të përshpejtuar afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Wadephul pranoi se rezultatet kanë qenë më të ngadalta nga sa ishte premtuar.

Reklamë InterMedika

“Ne nuk kemi përmbushur atë që kemi premtuar”, tha ai, duke kërkuar që vendet anëtare të dëshmojnë se premtimi i Selanikut ishte real dhe se Bashkimi Evropian mbetet një partner i besueshëm.

Edhe Ministria e Jashtme gjermane e ka cilësuar zgjerimin në Ballkanin Perëndimor si një “provë vendimtare” për Evropën, duke theksuar se perspektiva e besueshme e anëtarësimit është thelbësore për ruajtjen e ndikimit gjeopolitik të BE-së në rajon.

Wadephul paralajmëroi gjithashtu për ndikimin në rritje të fuqive të tjera në Ballkan, duke iu referuar rivalëve gjeopolitikë që kërkojnë të zgjerojnë praninë e tyre në rajon.

Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të veprojë më shpejt për të mos lënë hapësira që mund të shfrytëzohen nga aktorë si Rusia dhe Kina.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministrja e Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, e cila paralajmëroi se BE-ja nuk mund të vazhdojë të ngecë në procese burokratike dhe teknokratike, ndërsa konkurrenca gjeopolitike po rritet.

Në fokus të takimit ishte veçanërisht Mali i Zi, i cili konsiderohet aktualisht vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit. Wadephul vlerësoi progresin e Podgoricës dhe tha se vendi po shërben si shembull për rajonin.

Mali i Zi synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Podgorica ka bërë përparim të konsiderueshëm në mbylljen e kapitujve negociues dhe se ekziston mundësia që negociatat teknike të përfundojnë brenda fundit të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Ministri i Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimović, tha se qeveria e tij ka ndërmarrë reforma të shumta dhe se qytetarët duhet tashmë të shohin përfitime konkrete nga rruga drejt anëtarësimit.