Studioja daneze BIG – Bjarke Ingels Group është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin “Tirana Fountain Plaza”, i cili parashikon transformimin e zonës ku ndodhet aktualisht kompleksi “Tajvani” në Parkun Rinia.
Projekti fitues parashikon një strukturë tridimensionale të ngritur mbi nivelin e tokës, me volume të organizuara në mënyrë që të reduktohet zënia e sipërfaqes së parkut dhe të ruhet aksesueshmëria e tij për publikun.
Ndërtimi i ri do të zëvendësojë godinën aktuale të kompleksit “Tajvani”, e cila ndodhet në pronë private, ndërsa koncepti arkitektonik synon të ndërthurë funksionet e reja me gjelbërimin dhe hapësirën publike të Parkut Rinia.
Sipas prezantimit të projektit, ndërtesa do të ngrihet mbi tokë duke krijuar poshtë saj zona të mbuluara dhe hapësira publike. Projekti parashikon gjithashtu ruajtjen e elementit të ujit dhe shatërvanit, të trajtuar në një formë të re arkitekturore.
BIG u përzgjodh mes pesë studiove ndërkombëtare që morën pjesë në konkurs: Barozzi Veiga nga Spanja, BIG dhe COBE nga Danimarka, si dhe l’AUC dhe JDSA – Julien De Smedt Architects nga Franca. Projektet u prezantuan përpara një jurie ndërkombëtare.
Më herët gjatë prezantimit të pesë propozimeve, kryeministri Edi Rama mbrojti modelin e konkurseve ndërkombëtare dhe përfshirjen e studiove të huaja në projektet e zhvillimit urban në Shqipëri.
“Rruga që kemi zgjedhur, për të ftuar në Shqipëri dhe përfshirë në këtë fazë historike ëndrrash dhe ambiciesh të mëdha arkitektë ndërkombëtarë, është rruga më e mirë për të nesërmen”, deklaroi Rama.
Sipas qeverisë, konkursi për “Tirana Fountain Plaza” është pjesë e projekteve që lidhen me transformimin urban të kryeqytetit drejt vitit 2030.


