Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përgëzuar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke kërkuar angazhim konkret për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve.
Në reagimin zyrtar, diplomacia shqiptare vlerëson pjesëmarrjen e gjerë në votime dhe e cilëson rezultatin si dëshmi të rëndësisë së angazhimit qytetar dhe votës së lirë.
“Energjia qytetare që gjen përfaqësim përmes institucioneve është një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve”, thekson ministria.
Një përgëzim i veçantë i është drejtuar Koalicionit Shqiptar dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas projeksioneve paraprake të cituara në deklaratë, koalicioni është në rrugën drejt sigurimit të dy mandateve parlamentare, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.
MEPJ nënvizon se përfaqësimi në parlament duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, trajtimin e barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre.
Për marrëdhëniet me Kosovën, Shqipëria kërkon angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe hapa konkretë drejt fqinjësisë së qëndrueshme.
Ministria shpreh gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet që do të dalin nga zgjedhjet, duke theksuar se ndryshimi politik në Serbi duhet të krijojë mundësi të reja për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.

