Vrasja e Arlinda Zekajt, presidentja kërkon hetim edhe për veprimet e institucioneve

26 Oct 2026 • 15:23
Shpërndaje:

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, përfshirë mënyrën se si institucionet i kishin trajtuar kërkesat e saj për mbrojtje.

Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës, ndërsa i dyshuari, kunati i saj, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati. Të dhënat fillestare tregojnë se ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se është përdorur një sëpatë.

Duke shprehur tronditjen për vrasjen, presidentja u bëri thirrje organeve kompetente ta trajtojnë rastin me përparësi.

Reklamë Ola

“Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte”, deklaroi Shiroka-Pula.

Ajo kërkoi të sqarohet nëse ishin ndërmarrë të gjitha masat për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e viktimës. Sipas saj, çdo paralajmërim, kërkesë për ndihmë apo ankesë për mosveprim institucional duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.

Reklamë InterMedika

“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, theksoi ajo.

Vetëm tri ditë përpara vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Përmes saj, kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare.

Në letrën që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, ajo kishte paralajmëruar rrezikun me të cilin përballej dhe kishte shprehur shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbte një jetë njerëzore.

Presidentja kërkoi nga institucionet e drejtësisë urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve të viktimës.

“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, përfundoi Shiroka-Pula.