Vuçiç i shkruan NATO-s: KFOR-i të mos largohet nga ura e Ibrit

21 Aug 2026 08:49
Shpërndaje:

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së tij në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të Veriut.

Vuçiç bëri të ditur se më 20 gusht i ka dërguar një letër Rutte-s, ku ka ngritur shqetësimet e Beogradit për situatën e serbëve në veri të Kosovës dhe për mundësinë e hapjes së urës.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Reklamë Ola

Presidenti serb tha se pret një përgjigje nga kreu i NATO-s gjatë ditëve në vijim, duke shtuar se ruajtja e paqes dhe stabilitetit rajonal duhet të jetë prioritet.

Ura kryesore mbi Ibër ndan Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe, nga Mitrovica e Jugut, me shumicë shqiptare. Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, ajo ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve ndëretnike dhe është mbajtur nën mbikëqyrjen e KFOR-it.

Reklamë InterMedika

Sipas Vuçiçit, zvogëlimi i pranisë së KFOR-it në urë në këtë moment mund të rrisë tensionet në veri. Ai pretendoi se tërheqja do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe”.

Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të vazhdojë atë që e quajti “luftë politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke përmendur edhe mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Presidenti serb zbuloi gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë që ai e cilësoi “shumë të vështirë” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, ka kundërshtuar zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër. Përfaqësuesit e saj u takuan më 12 gusht me komandantin e misionit të NATO-s për të diskutuar situatën.

NATO ende nuk ka bërë publike një përgjigje ndaj kërkesës së Vuçiçit.