Çitaku nuk merr votat, ndërpritet seanca e Kuvendit

11 Sep 2026 15:24
Shpërndaje:

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë përkohësisht, pasi kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk arriti të siguronte votat e nevojshme.

Çitaku mori vetëm 44 vota, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e mbështetën kandidaturën e saj. Përfaqësues të LVV-së deklaruan se nuk do të votojnë persona që, sipas tyre, synojnë ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja, por shprehën gatishmëri për të mbështetur një kandidat tjetër të PDK-së.

Më herët, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 100 vota.

Reklamë Ola

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, akuzoi Vetëvendosjen se po krijon kriza dhe po dëmton interesin e vendit. Ai njoftoi se partia e tij do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Në këtë mënyrë vendi po dëmtohet dhe është futur në një situatë të panjohur deri tani, me shumë të panjohura përpara. Këtyre nuk u bëhet vonë për rezultatet në PISA, inflacionin apo largimin e njerëzve nga Kosova. Prandaj, ne do ta dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Hamza.

Reklamë InterMedika

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se kandidati i saj për nënkryetar, Kujtim Shala, nuk e ka mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosjes.

Përpara votimit të kandidatëve, Kuvendi vendosi me 71 vota që pesë nënkryetarët të zgjidhen individualisht dhe jo në grup.

Mosmarrëveshjet për mënyrën e votimit dhe kandidatët e propozuar janë kthyer në pengesën e radhës për përfundimin e konstituimit të Kuvendit.

Konstituimi i plotë i Parlamentit është i domosdoshëm për vijimin e procedurave për formimin e qeverisë së re dhe, më pas, për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar, ndërsa bllokada politike ka rritur shqetësimet për një krizë të re institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.