AfD kërkon anulimin e njohjes së Kosovës

11 Sep 2026 15:21
Shpërndaje:

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka mbajtur ndër vite një qëndrim kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar që Berlini të anulojë njohjen e saj.

Qëndrimi më i drejtpërdrejtë u shpreh në janar të vitit 2023 nga grupi parlamentar i AfD-së. Petr Bystron, në atë kohë zëdhënës i partisë për politikën e jashtme, e cilësoi si “gabim” vendimin e Gjermanisë për njohjen e shtetit të Kosovës.

AfD e konsideron të paligjshme ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe kundërshton procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Partia ka kërkuar gjithashtu që Gjermania t’i kërkojë falje Serbisë për pjesëmarrjen në bombardimet e NATO-s.

Reklamë Ola

Në një dokument parlamentar të paraqitur në qershor 2023 dhe të firmosur nga drejtuesit Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, Kosova përshkruhej si “shtet i rremë”, ndërsa pavarësia e saj paraqitej si pasojë e një lufte që AfD e cilëson të paligjshme.

Në të njëjtin dokument, qeveria e kryeministrit Albin Kurti lidhej me pretendimet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. AfD kërkonte që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të pajisej me kompetenca ekzekutive.

Reklamë InterMedika

Partia propozonte gjithashtu një formë administrimi jashtëterritorial për kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, nën garancinë e Kombeve të Bashkuara.

Një tjetër kërkesë ishte që Serbia të mos vihej nën presion për njohjen e Kosovës apo për harmonizimin me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Nisma e AfD-së u rrëzua nga Bundestagu në shtator të vitit 2024.

Në maj 2023, deputeti i AfD-së Markus Frohnmaier deklaroi se “projekti Kosovë ka dështuar” dhe kërkoi largimin e Gjermanisë nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

Frohnmaier kërkoi tërheqjen e ushtarëve gjermanë dhe ndërprerjen e ndihmës financiare për Kosovën. Ai e përshkroi vendin si të korruptuar dhe të paaftë për të mbijetuar pa mbështetje ndërkombëtare.

Këto qëndrime bien ndesh me politikën e deritanishme të Berlinit. Gjermania është një nga mbështetëset kryesore të shtetësisë së Kosovës, pranisë së KFOR-it dhe integrimit evropian të Prishtinës.

Një rol vendimmarrës i AfD-së në qeverisjen gjermane mund të sillte ndryshim të rëndësishëm të politikës së Berlinit ndaj Kosovës dhe afrim më të madh me qëndrimet e Beogradit.

AfD mban një qëndrim kundërshtues edhe ndaj anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në një dokument të vitit 2019, partia argumentonte se pranimi i Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk do të sillte “vlerë të shtuar evropiane”.

Si alternativë, AfD propozonte krijimin e marrëdhënieve me këto vende sipas modeleve të Zvicrës ose Norvegjisë, pa u ofruar anëtarësim të plotë në BE.

Në vitin 2023, partia e ashpërsoi qëndrimin duke e cilësuar zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor si “jorealist” dhe duke kërkuar krijimin e një partneriteti të privilegjuar në vend të procesit të anëtarësimit.

Shumica e deputetëve të AfD-së votuan gjithashtu kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në shtator të vitit 2019.

Për Tiranën, forcimi i ndikimit të AfD-së mund të rrezikonte mbështetjen gjermane për integrimin evropian. Për Prishtinën, pasojat mund të ishin më të mëdha, duke përfshirë kundërshtimin e shtetësisë, dobësimin e pranisë gjermane në KFOR, reduktimin e ndihmës dhe afrimin politik të Berlinit me Beogradin.