110 milionë euro për sektorin energjetik

11 Sep 2026 15:30
Shpërndaje:

Qeveria ka miratuar marrëveshjen me Gjermaninë për financimin e tri projekteve në sektorin energjetik, me një vlerë të përgjithshme prej 110 milionë eurosh.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se 20 milionë euro nga kjo shumë do të jepen në formën e grantit.

Projekti i parë parashikon rehabilitimin e 14 konvikteve, me synimin për të rritur eficiencën energjetike dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për studentët.

Reklamë Ola

Ky investim vijon programin e zbatuar më parë në 15 konvikte të tjera, ku kanë përfunduar ndërhyrjet për reduktimin e konsumit të energjisë dhe modernizimin e ndërtesave.

Projekti i dytë lidhet me rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga veprat më të rëndësishme të sistemit energjetik shqiptar. Sipas ministrit, ky hidrocentral siguron rreth 28 për qind të prodhimit të energjisë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Reklamë InterMedika

Ndërhyrja synon modernizimin e hidrocentralit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së tij me rreth 30 vjet.

“Programi i dytë është rehabilitimi i HEC-it të Vaut të Dejës, një vepër e rëndësishme energjetike, të cilës do t’i shtojmë jetëgjatësinë me 30 vjet”, deklaroi Karakaçi.

Projekti i tretë parashikon digjitalizimin e rreth 40 nënstacioneve të transmetimit. Investimi pritet të mundësojë menaxhim më efikas të flukseve të energjisë dhe rritje të kapaciteteve të furnizimit.

“Kemi nënshkruar tri marrëveshje me qeverinë gjermane për tri projekte të rëndësishme: rehabilitimin e konvikteve, rehabilitimin e HEC-it të Vaut të Dejës dhe digjitalizimin e sistemeve të operatorit të transmetimit”, tha ministri.

Karakaçi foli edhe për dy programet e eficiencës energjetike për instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Sipas tij, nga këto skema kanë përfituar rreth katër mijë familje.

Ai bëri të ditur se Agjencia për Eficiencën e Energjisë po zbaton edhe programe të posaçme për rehabilitimin e pallateve dhe ndërtesave në qytete të ndryshme.

Ministri njoftoi gjithashtu se brenda këtij viti synohet krijimi i një fondi të posaçëm për eficiencën energjetike.

Sipas tij, fondi do të administrohet nga një bord i posaçëm dhe do të ofrojë mbështetje financiare për qytetarët dhe bizneset që investojnë në masa për kursimin dhe përdorimin më efikas të energjisë.