FAZ: Serbia duhet të përballet me pasojat

11 Sep 2026 15:28
Shpërndaje:

Serbia duhet të përballet me pasoja për shkak të shkeljes së vazhdueshme të vlerave dhe interesave të Bashkimit Evropian, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një koment për rrugën evropiane të Beogradit.

Sipas FAZ, varrimi me nderime ushtarake i Ratko Mladiçit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, në praninë e përfaqësuesve të lartë shtetërorë serbë, ishte zhvillimi që “mbushi kupën”.

Gazeta shkruan se Bashkimi Evropian ka treguar tradicionalisht durim ndaj vendeve kandidate, duke marrë parasysh vështirësitë që ato hasin në harmonizimin e detyrimeve evropiane me ndjeshmëritë kombëtare.

Reklamë Ola

Megjithatë, sipas saj, ky durim duhet të ketë një kufi kur një qeveri shkel në mënyrë sistematike vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

FAZ akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiç se ka penguar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe ka shpërfillur parimet e sundimit të ligjit, demokracisë dhe ndarjes së pushteteve.

Reklamë InterMedika

Gazeta gjermane kritikon gjithashtu lidhjet e Beogradit me presidentin rus Vladimir Putin dhe refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Sipas analizës, Serbia po ndjek një rrugë të ngjashme me Turqinë dhe Gjeorgjinë, negociatat e të cilave me BE-në konsiderohen të pezulluara politikisht.

FAZ argumenton se Këshilli Evropian duhet t’i bëjë të qarta pasojat për Beogradin. Megjithatë, gazeta vlerëson se BE-ja nuk pritet t’ia mbyllë përfundimisht Serbisë derën e anëtarësimit përpara zgjedhjeve parlamentare të parashikuara në fund të tetorit.

Sipas gazetës gjermane, këto zgjedhje mund të përbëjnë për qytetarët serbë një nga mundësitë e fundit për të ruajtur perspektivën evropiane të vendit.