Kosovë, vetëm 7 ditë për presidentin: Partitë ende pa marrëveshje

29 Sep 2026 • 16:21
Shpërndaje:

Partitë politike në Kosovë ende nuk kanë arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa kanë mbetur vetëm shtatë ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026. Nëse deri atëherë presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Ngërçi vazhdon edhe pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ky i fundit e ka lidhur diskutimin për presidentin me nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Reklamë Ola

PDK kërkon që ndryshimet ligjore të trajtohen përpara 6 tetorit, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj është theksuar nevoja për konsensus politik për presidentin dhe kujdes në çdo ndërhyrje ligjore që lidhet me Dhomat e Specializuara.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës asnjë temë nuk është më e rëndësishme se ligji në këtë moment. Çështja e presidentit është çështje e konsensusit dhe vullnetit politik”, deklaroi deputeti i PDK-së, Arian Tahiri.

Reklamë InterMedika

Nga ana tjetër, në kampin qeverisës theksohet se objektivi i përbashkët duhet të jetë shmangia e një tjetër procesi zgjedhor.

“Kemi të bëjmë me afate koncize, kemi të bëjmë me presion, por po e ripërsëris, emëruesi i përbashkët në interes të Republikës është mosshkuarja në zgjedhje”, deklaroi Mimoza Kusari.

Edhe Kurti është shprehur kundër një rikthimi të vendit në zgjedhje, duke argumentuar se Kuvendi aktual ka mandatin dhe përgjegjësinë për të zgjedhur presidentin.

Kriza për postin e kreut të shtetit ka prodhuar më herët një marrëveshje mes Kurtit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për emrin e Bekim Sejdiut. Marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së dhe Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidatura.

Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje deri më 6 tetor, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh.