Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur përfshirjen e arkitektëve të huaj në projektet e zhvillimit urban në Shqipëri, duke kundërshtuar kritikat se investimet realizohen jashtë standardeve apo në dëm të qytetarëve dhe pronarëve.
Gjatë prezantimit të një projekti të ri në Tiranë, Rama i cilësoi si të pavërteta pretendimet se qytetarët nxirren me forcë nga banesat për t’u hapur rrugë investimeve private.
“Nuk ka ndodhur në Shqipëri asnjëherë që të nxirret dikush me forcë nga shtëpia për t’u zhvilluar një investim privat dhe asnjë privati nuk i është mohuar e drejta e tij për të zhvilluar apo jo një projekt”, deklaroi kryeministri.
Rama reagoi gjithashtu ndaj kritikave se arkitektët e huaj vijnë në Shqipëri për të realizuar projekte jashtë standardeve, duke thënë se ndërtimet zhvillohen mbi bazën e rregullave dhe procedurave në fuqi.
Sipas tij, bashkëpunimi me studio dhe arkitektë të njohur ndërkombëtarë u jep profesionistëve shqiptarë mundësinë të fitojnë eksperiencë dhe të punojnë drejtpërdrejt me emra të njohur të arkitekturës botërore.
“Sot Shqipëria dhe Tirana janë universiteti më i madh i hapur i arkitekturës në natyrë”, tha Rama, duke shtuar se arkitektët e rinj vendas kanë mundësinë të përfshihen drejtpërdrejt në projektet e studiove ndërkombëtare.
Kryeministri shprehu bindjen se në vitet e ardhshme Shqipëria mund të ketë arkitektë që do të konkurrojnë edhe në tregun ndërkombëtar.
Ai pranoi ndërkohë se vendi nuk i zotëron ende të gjitha kapacitetet profesionale dhe teknike të nevojshme për projekte komplekse, veçanërisht për ndërtimin e kullave.
“Ndërtimi i kullave është kaq kompleks dhe kërkon kaq profesionistë të bërë bashkë, saqë ne duhet ta pranojmë që në Shqipëri nuk i kemi kapacitetet dhe dijet për ta bërë këtë gjë”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, bashkëpunimi me ekspertë të huaj synon pikërisht transferimin e kësaj ekspertize dhe krijimin, siç e cilësoi ai, të “bazave të një shkolle të re të arkitekturës shqiptare”.


