E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, në prag të përfundimit të mandatit të tij në krye të misionit të NATO-s.
Takimi u zhvillua të hënën në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Prattipati vlerësoi punën e gjeneralmajorit turk gjatë drejtimit të misionit, duke e falënderuar për angazhimin në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, ndërsa ai po përgatitet të përfundojë mandatin e tij muajin e ardhshëm”, bëri të ditur Ambasada amerikane.
Nga ana e tij, Ulutash shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me përfaqësuesit amerikanë, si dhe vlerësoi kontributin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në misionin e KFOR-it.
Uashingtoni rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen për misionin e NATO-s, duke nënvizuar rolin e tij në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur misionin e KFOR-it, duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
NATO ka theksuar së fundmi se angazhimi i saj për sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur. KFOR-i vazhdon misionin për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes, në bazë të mandatit të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ulutash pritet të përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it në mesin e tetorit. Pasuesi i tij pritet të jetë gjeneralmajori italian Roberto Vergori


