Vizita e Zelenskyt në Serbi ndez tensionet në Ballkan

12 Aug 2026 11:56
Shpërndaje:

Vizita e parë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi ka shkaktuar reagime të forta në rajon, veçanërisht pas deklaratës së tij se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zelensky u takua të shtunën me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe vazhdon të ruajë marrëdhënie me Moskën.

Gjatë vizitës, presidenti ukrainas konfirmoi se Kievi do të vazhdojë të mos e njohë Kosovën, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm në Prishtinë.

Reklamë Ola

Pas deklaratës, pankarta gjigante me ngjyrat e flamurit ukrainas dhe mbishkrimin “Free Ukraine”, e vendosur që prej vitit 2022 në një nga rrugët kryesore të Prishtinës, u hoq. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se solidariteti me popujt që përballen me luftë dhe persekutim mbetet, por theksoi se “respekti duhet të jetë i ndërsjellë”.

Tensionet u shtuan më tej pas deklaratave të Vuçiçit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, i cili kalon nga Serbia drejt Kosovës. Çështja lidhet me liqenin e Ujmanit, një burim me rëndësi strategjike për furnizimin me ujë dhe sistemin energjetik të Kosovës.

Reklamë InterMedika

Deklaratat shkaktuan reagime edhe nga Tirana. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç shkëmbyen replika në rrjetin X, ndërsa Rama deklaroi se Serbia duhet të pranojë realitetin se “e humbi Kosovën” dhe se territori i saj nuk është pjesë e Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga më shumë se 100 shtete, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së. Megjithatë, pesë shtete të unionit vazhdojnë të mos e njohin.

Sipas analizës së publikuar nga POLITICO, një nga arsyet e afrimit të Kievit me Beogradin mund të lidhet me nevojat ushtarake të Ukrainës. Serbia vazhdon të prodhojë sasi të konsiderueshme municionesh të kalibrave sovjetikë, të cilat janë të rëndësishme për armët e epokës sovjetike që Ukraina ende përdor në luftën kundër Rusisë.

Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, argumenton se për Kievin nevojat e menjëhershme të luftës mund të kenë më shumë peshë sesa çështjet politike në Ballkan.

Nga ana tjetër, afrimi i Vuçiçit me Zelenskyn mund t’i shërbejë Beogradit edhe në marrëdhëniet me Brukselin, në një periudhë kur Serbia po përballet me kritika nga BE-ja për dhunën gjatë protestave antiqeveritare dhe për përkeqësimin e standardeve demokratike.

Çështja e Kosovës mbetet ndër temat më të ndjeshme edhe në raportet mes Ukrainës dhe Serbisë. Rusia e ka përdorur vazhdimisht rastin e Kosovës si argument për veprimet e saj territoriale, ndërsa mbështetësit e pavarësisë së Kosovës këmbëngulin se rasti i saj është unik dhe nuk mund të përdoret si precedent për pushtimin apo aneksimin e territoreve të shteteve të tjera.