Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, pasi kandidatura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje mori mbështetjen e 62 deputetëve.
Kuvendi i Kosovës u mblodh këtë të mërkurë për vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Në nisje të punimeve, Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit. Kandidatura e saj siguroi 62 votat e nevojshme për t’u miratuar.
Haxhiu e ka drejtuar Kuvendin edhe gjatë legjislaturës së dhjetë, e cila u shpërnda më 1 korrik 2026.
Krahas detyrës së kryetares së Kuvendit, Haxhiu ushtron edhe detyrën e Presidentes së Kosovës që prej 5 prillit. Ajo pritet të vazhdojë ta ushtrojë këtë funksion deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Zgjedhja e kryetares së Kuvendit përbën një nga hapat kryesorë në konstituimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.


