Vallja e Osman Takës pjesë e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare, Rama: Simbol i identitetit çam

08 Oct 2026 • 18:52
Shpërndaje:

Vallja e Osman Takës është përfshirë zyrtarisht në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë, duke marrë një njohje të rëndësishme për vlerat e saj historike dhe kulturore.

Lajmi u bë publik nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndërsa kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin përmes një reagimi në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë e cilësoi vallen si një nga simbolet e identitetit çam, që ruan dhe përcjell ndër breza historinë dhe traditat e kësaj treve.

Reklamë Ola

“Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë”, shkroi Rama.

Ai theksoi se kjo trashëgimi artistike përfaqëson shumë më tepër sesa një interpretim tradicional.

Reklamë InterMedika

“Simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza”, u shpreh kryeministri.

Vallja e Osman Takës lidhet me figurën historike të Osman Takës nga Konispoli dhe është një ndër shprehjet më të njohura të folklorit të Çamërisë.

Ajo karakterizohet nga lëvizje të fuqishme, elegancë dhe elemente të veçanta koreografike, përmes të cilave simbolizohen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.

Përfshirja në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale përbën një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes, promovimit dhe transmetimit të kësaj tradite te brezat e ardhshëm.