Nga 61 në 46 bashki, Balla shpjegon reformën territoriale: 15 bashkitë që bashkohen nuk ofronin shërbimet e duhura

08 Oct 2026 • 22:30
Shpërndaje:

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka shpjeguar arsyet e reduktimit të numrit të bashkive nga 61 në 46, siç parashikohet në projektin e ri të reformës territoriale.

I ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, Balla deklaroi se 15 bashkitë që parashikohet të bashkohen me njësi më të mëdha të qeverisjes vendore kanë shfaqur probleme në funksionimin e tyre dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas tij, bashkimi i këtyre njësive synon të rrisë kapacitetet administrative dhe financiare, si dhe t’u krijojë mundësi më të mëdha për të përfituar nga programet dhe projektet e Bashkimit Europian.

Reklamë Ola

“Sa më të mëdha bashkitë, aq më efektive janë shërbimet dhe aq më shumë kapacitet kanë”, u shpreh Balla gjatë debatit në studio.

Diskutimi nisi pas një pyetjeje të gazetarit Mentor Kikia, i cili solli një shembull nga një njësi administrative në Lezhë për të ilustruar vështirësitë që hasin komunitetet në marrjen e shërbimeve vendore.

Reklamë InterMedika

Kikia tregoi rastin e një peme të rrëzuar që kishte bllokuar një rrugë, duke penguar edhe lëvizjen e autobusit që transportonte mësuesit drejt shkollës. Sipas tij, për shkak të vonesës së ndërhyrjes nga bashkia, administratori i njësisë kishte paguar personalisht një banor për të prerë pemën dhe për të liruar rrugën.

Në përgjigje, Balla mbrojti modelin e bashkive më të mëdha, duke argumentuar se ato kanë më shumë mundësi për të organizuar shërbimet dhe për të përballuar nevojat e qytetarëve.

“Përsëri insistoj që këto 15 bashki, që po bashkohen tani në këtë fazë të dytë të reformës, janë rasti tipik i bashkive që nuk performonin si duhet në shumë aspekte, në funksionalitetin që ato kanë për t’u dhënë shërbim njerëzve”, deklaroi ai.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist theksoi se ndryshimi i propozuar nuk lidhet vetëm me reduktimin e numrit të njësive vendore, por edhe me forcimin e aftësisë së tyre për të konkurruar për financime dhe projekte zhvillimore.

“Këto 15 bashki, që nga 61 bashki kalojmë në 46, me bashkitë që bashkohen do të kenë më shumë fuqi për të konkurruar për programe dhe projekte të Bashkimit Europian”, tha Balla.

Deklaratat e tij vijnë në kuadër të debatit politik për reformën e re territoriale, e cila parashikon bashkimin e 15 bashkive me njësi të tjera vendore. Ndryshimet janë pjesë e projektit që po diskutohet në Kuvend.