Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, u ka përcjellë një mesazh studentëve të Mjekësisë me rastin e nisjes së vitit të ri akademik 2026–2027, duke theksuar se zhvillimet teknologjike po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën se si do të ushtrohet profesioni i mjekut.
Spahiu përmendi inteligjencën artificiale, diagnostikimin e avancuar dhe kërkimin shkencor si disa prej fushave që pritet të ndikojnë gjithnjë e më shumë në mjekësinë e së ardhmes.
“Mjekësia që do të ushtrojnë ata nesër nuk do të jetë e njëjtë me atë që kemi ushtruar ne dje”, deklaroi ministrja, duke nënvizuar se studentët duhet të jenë të përgatitur për një profesion që po ndryshon vazhdimisht.
Megjithatë, ajo vuri theksin te ruajtja e dimensionit njerëzor të profesionit, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë.
“Përdorni dijen, përqafoni teknologjinë, kërkoni gjithmonë më shumë, por mos e humbni kurrë humanizmin”, tha Spahiu.
Sipas saj, teknologjia duhet të mbetet një mjet në shërbim të kujdesit ndaj pacientit dhe jo të zëvendësojë përgjegjësinë dhe marrëdhënien njerëzore që qëndron në themel të mjekësisë.
“Mjeku i së ardhmes duhet të ketë teknologjinë në duar, shkencën në mendje dhe njeriun në qendër të çdo vendimi”, u shpreh ministrja, duke u uruar studentëve suksese në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.


