Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se protestat kundër projektit turistik në Zvërnec janë ndikuar nga fushata dezinformimi në rrjetet sociale, për të cilat ai akuzoi vende që i cilësoi jomiqësore me Shqipërinë, përfshirë Iranin dhe Rusinë.
I ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, Balla pretendoi se përpara nisjes së protestave ishin shpërndarë harta të rreme, të cilat sugjeronin se në zonën ku parashikohet investimi do të strehoheshin emigrantë palestinezë nga Gaza.
Sipas tij, këto publikime synonin të krijonin shqetësim te qytetarët dhe të nxisnin kundërshtimin ndaj projektit.
“Protesta, përpara se të fillonte, pati një invadim të rrjeteve sociale me disa harta fallco, sesi në Zvërnec do të kishte një kufi mes Shqipërisë dhe Izraelit, ku në pjesën e projektit do të vendoseshin emigrantë nga Gaza”, deklaroi Balla.
Ai përmendi një faqe në rrjetet sociale me emrin “Iran Military”, për të cilën pretendoi se ishte regjistruar në Bangladesh dhe kishte publikuar vazhdimisht harta të rreme për Zvërnecin që prej fillimit të majit.
Balla nuk paraqiti gjatë deklaratave të cituara prova të verifikueshme që të konfirmonin përfshirjen e drejtpërdrejtë të autoriteteve iraniane apo ruse në organizimin e protestave.
Balla: Protesta u mor peng nga një grup i vogël
Duke komentuar tubimet e zhvilluara kundër investimit, Balla theksoi se protesta është një e drejtë e qytetarëve, por pretendoi se karakteri i saj ka ndryshuar me kalimin e kohës.
“Është e drejtë e çdo qytetari të protestojë. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë. Nëse ditën e parë kishte qytetarë që dolën të protestojnë realisht, sot janë një grupim i vogël që morën peng protestën”, u shpreh ai.
Deputeti socialist pranoi se një pjesë e reagimit fillestar të qytetarëve ishte nxitur edhe nga një incident dhune, ku një punonjës sigurie kishte goditur një protestues.
Megjithatë, ai këmbënguli se zhvillimet e mëvonshme ishin ndikuar nga përhapja e informacioneve të rreme.
Akuza edhe për interesa ekonomike të vendeve fqinje
Balla ngriti gjithashtu pretendimin se kundërshtimi ndaj investimit mund të lidhet me interesa ekonomike të vendeve fqinje, të cilat, sipas tij, e shohin projektin si konkurrencë në sektorin e turizmit.
Investimi i planifikuar në Zvërnec, sipas shifrës së përmendur nga Balla, pritet të arrijë vlerën e 4 miliardë dollarëve.
“Nuk ka dyshime që dhe interesat e fqinjëve që e shohin ndërtimin e një projekti të asaj vlere në bregdetin shqiptar si një prekje të interesave të tyre në sektorin e turizmit”, deklaroi ai.
Duke iu referuar Iranit dhe Rusisë, Balla tha se këto vende kanë pasur interes të dëmtojnë Shqipërinë, duke përmendur edhe sulmet kibernetike.
“Të gjitha këto vende jo miqësore kanë qenë të përfshira në rastin në fjalë”, pretendoi ai.
Qeveria synon të vijojë projektin në Zvërnec
Pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve, Balla bëri të ditur se qeveria mbetet e vendosur për të vijuar me projektin e investimit në Zvërnec.
Megjithatë, ai sqaroi se zhvillimi ndodhet ende në fazat paraprake dhe nuk është zyrtarizuar mënyra se si do të procedohet me realizimin e tij.
Deklaratat e Ballës vijnë në një kohë kur projekti ka shkaktuar debate dhe protesta, ndërsa pretendimet për ndërhyrje të huaj në organizimin e tyre mbeten të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur.


