×
Sunday, May 31, 2026

Trupat shqiptare stërviten me ushtrinë malazeze në kuadër të misionit të NATO-s në Bullgari

May 31, 2026


Trupat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut po zhvillojnë një stërvitje të përbashkët me Forcat e Armatosura të Malit të Zi në kuadër të misionit të NATO-s Forward Land Forces 1 (FLF-1) në Bullgari, duke forcuar ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë operacionale të forcave aleate.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se stërvitja paradislokuese përfaqëson një tjetër dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit mes vendeve anëtare të Aleancës Atlantike, në funksion të sigurisë kolektive dhe përmbushjes së detyrimeve të përbashkëta në kuadër të NATO-s.

Gjatë aktiviteteve stërvitore, efektivët shqiptarë dhe malazezë po angazhohen në procedura të përbashkëta taktike dhe operacionale, duke shkëmbyer eksperienca dhe duke përmirësuar aftësitë e tyre për operacione të përbashkëta në misionet e Aleancës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, profesionalizmi dhe niveli i lartë i përgatitjes së trupave shqiptare mbeten elementë kyç për realizimin me sukses të misioneve të Forcës Tokësore.

“Profesionalizmi, gatishmëria dhe niveli i lartë i përgatitjes së trupave tona mbeten garanci për përmbushjen me sukses të çdo misioni të Forcës Tokësore. Së bashku jemi më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt në shërbim të paqes dhe sigurisë kolektive”, thekson Ministria e Mbrojtjes.

Pjesëmarrja e Forcave të Armatosura shqiptare në misionin NATO Forward Land Forces 1 konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në strukturat e Aleancës dhe kontributin e saj në forcimin e mbrojtjes dhe stabilitetit në krahun lindor të NATO-s.




Comments are closed.