×
Sunday, July 26, 2026

Irani: Ka përparim në bisedimet me Omanin për Ngushticën e Hormuzit

July 26, 2026


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka bërë të ditur se është shënuar “përparim” në bisedimet mes Iranit dhe Omanit për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.

Deklarata e Baghaeit u bë këtë të diel, një ditë pasi një delegacion nga Omani mbërriti në Teheran për të zhvilluar negociata lidhur me sigurinë dhe menaxhimin e kalimit në këtë korridor strategjik.

Ai bëri të ditur se ditët e fundit janë zhvilluar disa raunde bisedimesh mes zëvendësministrave të Jashtëm të Iranit dhe Omanit, gjatë të cilave palët kanë shkëmbyer pikëpamje mbi parimet e përbashkëta për garantimin e lundrimit të sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithëse zyrtari iranian nuk dha detaje të tjera mbi rezultatet e diskutimeve, deklarata vjen në një kohë kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe sulmet ndaj anijeve në Hormuz kanë shkaktuar shqetësime në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Rihapja dhe garantimi i sigurisë së kësaj rruge ujore është kthyer në një nga çështjet kryesore të negociatave që kanë pasuar tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pasi përmes Ngushticës së Hormuzit kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës.




Comments are closed.