×
Sunday, July 26, 2026

Kuvendi mblidhet të hënën, protestuesit paralajmërojnë tubim para Parlamentit

July 26, 2026


E hëna pritet të rikthejë tensionin politik në qendër të Tiranës, pasi Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë një seancë plenare, ndërkohë që përpara godinës së Parlamentit është paralajmëruar një protestë qytetare.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të mblidhen paradite për të miratuar caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet parlamentare.

Në të njëjtën kohë, organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për mobilizim përpara Kuvendit, duke paralajmëruar vazhdimin e aksionit kundër qeverisë. Nuk përjashtohet mundësia e përplasjeve me forcat e policisë apo me deputetët që do të hyjnë në Parlament, siç ndodhi edhe gjatë protestës së 23 korrikut.

Për autoritetet, sfida kryesore do të jetë garantimi i zhvillimit normal të punimeve të Kuvendit, si dhe ruajtja e rendit dhe sigurisë në perimetrin e Parlamentit.

Protesta pritet të rikthejë në qendër të debatit politik kërkesat e qytetarëve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi prezantoi dokumentin e quajtur “Besa”, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura nga protestuesit.

Vëmendja kryesore do të jetë te mënyra se si do të menaxhohet tubimi dhe nëse protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore apo do të shoqërohet sërish me incidente dhe përplasje.




Comments are closed.