×
Tuesday, July 21, 2026

Raporti i Këshillit të Evropës: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar, shqetësime për presionin politik ndaj gazetarëve

July 20, 2026


Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale. Ky është përfundimi i një raporti të publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Raporti u hartua pas një misioni ndërkombëtar faktmbledhës të zhvilluar në Prishtinë më 24-26 mars, ku morën pjesë përfaqësues të tetë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gazetarë, redaktorë, drejtues të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatëve ndërkombëtarë.

Në raport thuhet se, megjithëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, një nivel relativisht të ulët të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe një kuadër ligjor kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, këto zhvillime janë zbehur nga një klimë gjithnjë e më problematike për lirinë e medias.

Organizatat identifikojnë si shqetësime kryesore ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili më vonë u shpall antikushtetues, problemet me financimin dhe pavarësinë editoriale të RTK-së, si dhe shtimin e sulmeve verbale dhe diskreditimit të gazetarëve nga politikanët, veçanërisht përfaqësues të partisë në pushtet.

Sipas raportit, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në renditjen ndërkombëtare të Kosovës. Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke humbur 28 vende krahasuar me vitin 2023.

Organizatat paralajmërojnë se kjo rënie ka dëmtuar reputacionin e Kosovës si një nga vendet më të avancuara në rajon për lirinë e medias dhe i bëjnë thirrje qeverisë së ardhshme të rikthejë besimin në institucionet demokratike dhe procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së Kryeministrit për një koment mbi gjetjet e raportit, ndërsa deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Raporti i kushton një vëmendje të veçantë edhe sigurisë së gazetarëve. Edhe pse sulmet fizike kanë rënë krahasuar me vitin 2023, autorët theksojnë se gazetarët po përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime verbale, fushata diskreditimi dhe sulme në internet, të cilat shpesh burojnë nga figura të larta politike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media, përfshirë denigrim publik, diskreditim dhe sulme online. Sipas raportit, një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Delegacioni shpreh shqetësim edhe për retorikën e përdorur ndaj gazetarëve, duke përmendur raste kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar publikisht mediat dhe gazetarët.

Sipas raportit, organizatat i kanë kërkuar Kurtit dhe partisë së tij të shmangin gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe të japin shembull për një debat publik më të respektueshëm.

Raporti thekson se, gjatë takimit me delegacionin, Kurti nuk e pranoi seriozitetin e shqetësimeve për sigurinë e gazetarëve. Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim, Zyra e Kryeministrit deklaroi se ai nuk mbështet dhe nuk toleron sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe se vetë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.

Një tjetër shqetësim i ngritur në raport lidhet me gjendjen në transmetuesin publik RTK. Organizatat vlerësojnë se financimi i pamjaftueshëm, paqartësitë ligjore dhe pretendimet për presion politik rrezikojnë pavarësinë editoriale të televizionit publik.

Delegacioni përmend dëshmi të gazetarëve për largime nga emisionet, procedura disiplinore dhe ndërprerje emisionesh, pretendime që janë mohuar nga menaxhmenti i RTK-së.

Raporti rikujton gjithashtu se ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2024, u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se ai cenonte pavarësinë e institucionit.

Organizatat shprehin shqetësim edhe për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPM-së dhe bordit të RTK-së, duke vlerësuar se procedurat e përshpejtuara dhe mungesa e transparencës kanë ngritur dyshime për ndërhyrje politike.

Raporti kritikon gjithashtu nivelin e transparencës së institucioneve publike. Gazetarët kanë raportuar vështirësi në sigurimin e informacionit zyrtar, mungesë të konferencave për media dhe komunikim të kufizuar me zyrtarët publikë. Organizatat evidentojnë gjithashtu rritjen e numrit të ankesave për refuzimin e qasjes në dokumente publike gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive. Organizatat vlerësojnë bashkëpunimin me sistemin gjyqësor, duke përmendur trajtimin më të shpejtë të çështjeve që lidhen me gazetarët, si dhe miratimin e Strategjisë 2026-2028 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila parashikon përparësi për rastet që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve dhe paditë për shpifje.




Comments are closed.