Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit. Seanca do të nisë në orën 10:00, një ditë para afatit të fundit kushtetues.
Në një konferencë për media, Haxhiu u bëri thirrje partive parlamentare të vijojnë dialogun për krijimin e institucioneve të reja.
“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, u shpreh ajo.
Me mbajtjen e seancës konstituive nis edhe afati kushtetues 60-ditor, gjatë të cilit deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri të Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh brenda kësaj periudhe, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon sërish në zgjedhje parlamentare.
Caktimi i datës vjen në një kohë kur bisedimet për krijimin e institucioneve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar.
Më 15 korrik, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi ndërprerjen e diskutimeve me kryeministrin në detyrë dhe liderin e LVV-së, Albin Kurti, për shkak të një nisme të brendshme në parti që synon shkarkimin e tij nga posti i kryetarit.
Më herët, më 10 korrik, Kurti zhvilloi takime të ndara me Abdixhikun dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ky i fundit deklaroi se PDK-ja do të mbetet në opozitë, ndërsa Abdixhiku u shpreh i gatshëm për vazhdimin e dialogut.
Sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shtatë mandate.
Për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë nevojiten 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë. Ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit, çka e bën të domosdoshme një marrëveshje më të gjerë politike.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare, të katërtat që nga shkurti i vitit të kaluar.