×
Wednesday, July 22, 2026

BE kritikon vendimin e Albulena Haxhiut për shkarkimin e prokurorëve serbë: Nuk duket në përputhje me ligjin

July 21, 2026


Bashkimi Evropian ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për dekretimin e lirimit nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, duke vlerësuar se ky veprim nuk duket të jetë në përputhje me ligjin dhe parimet e sundimit të ligjit.

Në një deklaratë, një zëdhënës i BE-së tha se vendimi i Haxhiut, si edhe ai i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duket se bie ndesh me procedurat ligjore, duke kujtuar se prokurorët kishin njoftuar më herët për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

“Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, tha zëdhënësi.

Më 21 korrik, Albulena Haxhiu njoftoi se kishte nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në rrjetet sociale.

Pak ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesën e prokurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

Vendimi u propozua nga nënkryetari i KPK-së, Dardan Vuniqi, ndërsa për hyrjen në fuqi kërkohej dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit.

Duke mbrojtur vendimin, Haxhiu deklaroi se “askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve” dhe se “as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj.

Qindra zyrtarë serbë dhanë dorëheqje nga policia, gjyqësori, prokuroria dhe institucionet e tjera në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, pas thirrjes së Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë një vendim për kërkesat e gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.

Nga Bashkimi Evropian është theksuar se çështja e riintegrimit të personelit gjyqësor serb po trajtohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.




Comments are closed.