×
Sunday, July 19, 2026

Konjufca i kërkon BE-së të dënojë deklaratën e ministres serbe: Të trajtohet edhe në procesin e anëtarësimit të Serbisë

July 18, 2026


Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ku kërkon që Brukseli të dënojë publikisht deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviçit, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Në letrën e tij, Konjufca kërkon që Bashkimi Evropian ta trajtojë këtë deklaratë jo vetëm si një incident politik, por edhe si një çështje që duhet të reflektohet në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Kryediplomati kosovar paraqet tre kërkesa konkrete për Bashkimin Evropian.

Së pari, ai kërkon një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik të deklaratës së ministres Paunoviç dhe të retorikës revizioniste që, sipas tij, ajo përfaqëson.

Së dyti, Konjufca kërkon që BE-ja t’u rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si edhe me standardet që kërkohen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Së treti, ai kërkon që kjo çështje të ngrihet në kuadër të dialogut politik mes BE-së dhe Serbisë, si dhe gjatë procesit të negociatave për anëtarësim, në mënyrë që Beogradi të kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton deklarata të tilla.

Në letrën drejtuar Kallas, Konjufca thekson se deklarata e ministres serbe nuk mund të konsiderohet thjesht një gafë.

“Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces”, shkruan Konjufca në letrën e tij.




Comments are closed.