Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Koreja e Veriut po përgatitet të shtojë mbështetjen ushtarake për Rusinë, duke dërguar trupa të tjerë dhe armë të rënda për luftën në Ukrainë.
Në një deklaratë të bërë të shtunën në mbrëmje, Zelensky tha se, sipas vlerësimeve të inteligjencës ukrainase, Moska po planifikon të dislokojë edhe 30 mijë ushtarë koreano-veriorë në rajonin rus të Voronezhit.
Ai shtoi se Pheniani synon gjithashtu t’i furnizojë Rusisë platforma shtesë për lëshimin e raketave balistike, si pjesë e planeve ushtarake të Kremlinit për muajt e ardhshëm.
Sipas presidentit ukrainas, këto zhvillime tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka asnjë synim për t’i dhënë fund luftës përmes negociatave.
“Rusia po e ndihmon Korenë e Veriut të mësojë se si zhvillohet lufta, të përmirësojë armët e saj dhe t’i japë përvojë në përdorimin real të tyre. E gjithë kjo përbën një kërcënim për të gjitha vendet e Azisë, që ndodhen brenda rrezes së raketave koreano-veriore”, deklaroi Zelensky.
Ai paralajmëroi se bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Phenianit nuk përbën rrezik vetëm për Ukrainën, por edhe për sigurinë në rajonin aziatik.
Sipas Zelenskyt, gjatë vitit të kaluar Koreja e Veriut dërgoi deri në 15 mijë ushtarë për të mbështetur forcat ruse në luftën kundër Ukrainës. Këto trupa, sipas tij, ndihmuan Rusinë të rimerrte territore në rajonin e Kurskut, të cilat ishin pushtuar nga forcat ukrainase gjatë një ofensive të befasishme.
Presidenti ukrainas shtoi se, bazuar në vlerësime të pakonfirmuara, të paktën 2 mijë ushtarë koreano-veriorë kanë humbur jetën në luftime.
Rusia dhe Koreja e Veriut kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak gjatë vitit të fundit, duke nënshkruar një traktat partneriteti strategjik. Vetëm pak ditë më parë, ministrat e Jashtëm të dy vendeve rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta mes Moskës dhe Phenianit, duke premtuar thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.