Tre vjet nga sulmi në Banjskë, BE ultimatum Serbisë: Nxirrni përgjegjësit para drejtësisë pa vonesa

24 Sep 2026 • 16:13
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë të veprojë pa vonesa për të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa këtë të mërkurë shënohen tre vjet nga ngjarja që tronditi veriun e Kosovës.

Në një reagim për përvjetorin, zëdhënësi i BE-së rikujtoi se sulmi i 24 shtatorit 2023 përbënte një kërcënim serioz për sigurinë e të gjithë rajonit.

Gjatë sulmit të një grupi të armatosur serbësh të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës u vra efektivi Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë mbetën të plagosur.

Reklamë Ola

BE-ja thekson se vazhdimisht ka kërkuar që autorët dhe organizatorët e sulmit të mbajnë përgjegjësi, ndërsa shpreh keqardhje që Beogradi ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj personave të akuzuar që ndodhen në territorin e Serbisë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të vendosura të asistencës së ndërsjellë. Çështja është në pritje prej një kohe të gjatë dhe duhet të ndiqet menjëherë nga Serbia”, deklaroi zëdhënësi i BE-së.

Reklamë InterMedika

Çështja e Banjskës është ngritur edhe në nivelin më të lartë diplomatik. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e diskutoi atë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç gjatë takimit të tyre në Nju Jork.

Tre vjet pas sulmit, Serbia nuk ka çuar ende në gjyq përgjegjësit e dyshuar. Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur disa ditë pas ngjarjes. Ai u mor në pyetje nga autoritetet serbe në tetor 2023, por më pas u la i lirë.

Edhe Parlamenti Evropian i ka kërkuar më parë Serbisë të sjellë para drejtësisë autorët e sulmit, duke përmendur në mënyrë të posaçme Radoiçiçin.

Ndërkohë, në Kosovë janë zhvilluar procedura penale ndaj personave të akuzuar për përfshirje në sulm. Ngjarja e Banjskës mbetet një nga episodet më të rënda të sigurisë në veriun e Kosovës gjatë viteve të fundit dhe vazhdon të jetë një çështje e hapur në marrëdhëniet mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.