Mickoski mesazh nga Nju Jorku: Shqiptarët dhe maqedonasit janë një familje e madhe

25 Sep 2026 • 18:28
Shpërndaje:

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka vlerësuar bashkëjetesën mes shqiptarëve, maqedonasve dhe komuniteteve të tjera në vend, gjatë fjalimit të mbajtur në mbrëmjen gala të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Mickoski tha se ndihej i mirëpritur mes komunitetit shqiptar dhe shprehu krenarinë për karakterin multietnik dhe shumëfetar të Maqedonisë së Veriut.

“Vij nga një vend me shumë etni dhe besime, ku maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët, të krishterët dhe myslimanët, jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe, unitet dhe kohezion. Jam krenar për këtë”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Sipas kryeministrit, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, qytetarët e Maqedonisë së Veriut ndajnë përgjegjësi dhe synime të përbashkëta për të ardhmen e vendit.

“Ne jemi një familje e madhe”, tha Mickoski, duke theksuar se qytetarët kontribuojnë për vendin me të njëjtin përkushtim që tregojnë për familjet e tyre.

Reklamë InterMedika

Në fjalën e tij, Mickoski u ndal edhe te rëndësia strategjike e lidhjes së vendeve të Ballkanit përmes projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike.

Ai foli për zhvillimin e rrugëve, hekurudhave dhe korridoreve energjetike që lidhin Adriatikun me Detin e Zi dhe Ballkanin me Europën Qendrore, duke i konsideruar këto investime të rëndësishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë rajonale.

Sipas Mickoskit, forcimi i këtyre korridoreve ka rëndësi edhe për NATO-n, ndërsa diversifikimi i burimeve dhe rrugëve të furnizimit me energji mund të zvogëlojë varësinë e rajonit nga energjia ruse.

Mesazhi i tij nga Nju Jorku u përqendrua kështu te bashkëjetesa mes komuniteteve në Maqedoninë e Veriut, por edhe te nevoja për një Ballkan më të ndërlidhur ekonomikisht, energjetikisht dhe në aspektin e sigurisë.