Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur këtë të premte, 25 shtator, në Tiranë, duke nisur kështu misionin e tij diplomatik në vendin tonë.
Ish-gjenerali amerikan, i përzgjedhur nga Presidenti Donald Trump për të drejtuar përfaqësinë diplomatike të SHBA-së në Shqipëri, mbërriti në aeroportin e Rinasit me fluturimin OS573.
Sipas Top Channel, Wendt u prit nga drejtues të Protokollit të Shtetit dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane. Pas rreth 20 minutash në terminalin VIP, ai u nis drejt Tiranës, ndërsa ndalesa e parë ishte selia e Ambasadës së SHBA-së në Rrugën e Elbasanit.
Wendt vjen në Shqipëri pas një karriere më shumë se tri dekada në ushtrinë amerikane. Gjenerali me tre yje ka shërbyer për një periudhë të gjatë në Forcat Speciale “Green Berets” dhe ka drejtuar Shtabin e Operacioneve Speciale të NATO-s.
Gjatë procesit të konfirmimit në Senatin amerikan, Wendt paraqiti edhe prioritetet që pritet të udhëheqin mandatin e tij në Tiranë.
Mes tyre janë mbrojtja e qytetarëve dhe interesave amerikane, mbështetja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe promovimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare.
Një tjetër pikë e mandatit të tij pritet të jetë mbështetja e angazhimeve të Shqipërisë në NATO, përfshirë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.
Wendt merr drejtimin e Ambasadës Amerikane pas një periudhe të gjatë pa një ambasador të konfirmuar nga Senati në Tiranë. Mandati i Yuri Kim përfundoi në vitin 2023 dhe që prej asaj kohe përfaqësia diplomatike amerikane është drejtuar nga të ngarkuar me punë.
Axhenda e ambasadorit të ri nis menjëherë. Të shtunën, Wendt pritet të paraqesë letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave. Sipas raportimeve, ceremonia do të pasohet edhe nga një takim mes Presidentit dhe diplomatit amerikan.
Ndërkohë, të mërkurën është parashikuar takimi i tij me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Më 2 tetor, Ambasada Amerikane pritet të organizojë edhe ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri në Tiranë, duke shënuar zyrtarisht nisjen e një kapitulli të ri në përfaqësimin diplomatik amerikan në Shqipëri.


