Trafiku ajror në Shqipëri arrin nivele rekord gjatë verës 2026

14 Sep 2026 14:20
Shpërndaje:

Shqipëria u rendit ndër vendet europiane me rritjen më të lartë të trafikut ajror gjatë verës 2026, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe qendra shqiptare e kontrollit ajror regjistruan nivelet më të larta historike.

Sipas raportit të fundit të EUROCONTROL, në periudhën 1 qershor–31 gusht, trafiku ajror në Europë u rrit me 2.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritje të konsiderueshme u regjistruan në Shqipëri, Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Slloveni, si dhe në vendet e Europës Jugperëndimore.

Reklamë Ola

Ndërkohë, kriza në Lindjen e Mesme ndikoi në zhvendosjen e flukseve ajrore dhe solli rënie të trafikut në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Turqi.

Shqipëria ishte gjithashtu mes 14 vendeve që regjistruan numrin më të lartë historik të fluturimeve brenda një dite gjatë verës. Në këtë listë përfshihen Armenia, Gjeorgjia, Greqia, Irlanda, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Portugalia, Serbia, Sllovakia, Spanja dhe Turqia.

Reklamë InterMedika

Edhe Tirana u përfshi mes pikave europiane që shënuan rekorde. Qendra e Kontrollit të Trafikut Ajror në Tiranë ishte një nga 24 qendrat që menaxhuan nivelin më të lartë ditor të trafikut, ndërsa Aeroporti i Tiranës u rendit mes 16 aeroporteve europiane që arritën rekorde historike.

Më shumë fluturime, por më pak vonesa

Rrjeti europian i aviacionit regjistroi mesatarisht 35 959 fluturime në ditë, ose 2.4 për qind më shumë se gjatë verës 2025. Rekordi u vendos më 10 korrik 2026, kur brenda një dite u realizuan 37 640 fluturime.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut, performanca e rrjetit u përmirësua. Vonesat e shkaktuara nga menaxhimi i trafikut ajror ranë me 17 për qind, duke zbritur në një mesatare prej 3.27 minutash për çdo fluturim.

Kapacitetet e kufizuara dhe mungesa e stafit në kontrollin ajror vijuan të ishin shkaqet kryesore të problemeve, duke përbërë 49 për qind të vonesave gjatë fluturimit. Kushtet e vështira atmosferike shkaktuan 43 për qind të tyre.

Vetëm 1 për qind e vonesave erdhi si pasojë e grevave, pasi vera 2026 kaloi pa protesta të mëdha në sektorin e kontrollit të trafikut ajror.

Franca, Spanja dhe Greqia me më shumë probleme

Franca ishte burimi kryesor i vonesave gjatë fluturimit në Europë, duke përbërë 32 për qind të totalit të tyre në rrjet.

Spanja shkaktoi 17 për qind të vonesave, me qendrën e Barcelonës përgjegjëse për 11 për qind. Vonesat mesatare në hapësirën ajrore spanjolle u rritën me 14 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Greqia përbënte 12 për qind të të gjitha vonesave të regjistruara në rrjetin europian.

EUROCONTROL vlerëson se vera 2026 rezultoi më mirë se parashikimet në aspektin operacional, falë planifikimit, koordinimit dhe masave të reja për menaxhimin e kapaciteteve dhe kushteve atmosferike.

Sipas raportit, këto masa kanë shmangur rreth 3.1 milionë minuta vonesa që nga muaji maj, prej të cilave 2.9 milionë vetëm gjatë tre muajve të verës.