BE përgatit ligjin për mbrojtjen e fëmijëve online, do të caktohet moshë minimale për rrjetet sociale

14 Sep 2026 14:23
Shpërndaje:

Komisioni Europian do të paraqesë të enjten propozimin për një ligj të ri europian, të quajtur “EU KIDS Act”, i cili synon të vendosë një moshë minimale për përdorimin e rrjeteve sociale në të gjithë Bashkimin Europian.

Sipas pjesëve të dokumenteve përgatitore të siguruara nga “Politico”, propozimi do të përcaktojë një kufi të përbashkët moshe për 27 vendet anëtare dhe do t’u kërkojë kompanive që produktet e tyre digjitale të jenë të sigurta që në fazën e projektimit.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Olof Gill, konfirmoi gjatë një konference për shtyp se propozimi do të paraqitet të enjten.

Reklamë Ola

Nisma vjen pas presionit të vazhdueshëm të disa liderëve europianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, për ta vendosur mbrojtjen e të miturve në rrjetet sociale në krye të agjendës politike.

Franca po përgatit paralelisht një ligj kombëtar që do të kufizojë aksesin e fëmijëve në platforma si TikTok dhe Instagram.

Reklamë InterMedika

Ligji i propozuar nga Komisioni pritet të zbatohet për rrjetet sociale, platformat e videove, lojërat online, chatbot-et me inteligjencë artificiale dhe të ashtuquajturit shoqërues virtualë të bazuar në AI. Mjetet digjitale me karakter arsimor pritet të përjashtohen.

Propozimi do të përfshijë gjithashtu mjete të reja kontrolli për prindërit dhe kujdestarët, me synimin që ata të kenë më shumë mundësi për të mbikëqyrur aktivitetin e fëmijëve në internet.

Komisioni pritet të propozojë edhe një strukturë të posaçme mbikëqyrjeje, të ngjashme me mekanizmat e Aktit të Shërbimeve Digjitale dhe Aktit për Inteligjencën Artificiale.

Sipas dokumenteve, kompanitë teknologjike mund të detyrohen të paguajnë tarifa mbikëqyrjeje. Komisioni Europian do të ketë rol qendror në kontrollin e platformave dhe shërbimeve që paraqesin rrezikun më të lartë.

Teksti mund të pësojë ndryshime deri në prezantimin zyrtar. Përpara se të hyjë në fuqi, propozimi duhet të negociohet dhe të miratohet nga qeveritë e vendeve anëtare dhe Parlamenti Europian.