SHBA dhe BE paralajmërojnë Serbinë për afrimin teknologjik me Kinën

14 Sep 2026 14:45
Shpërndaje:

E ardhmja ekonomike e Serbisë do të varet nga vendimet politike dhe partneritetet që ajo zgjedh sot, paralajmëroi Departamenti amerikan i Shtetit, duke komentuar afrimin e Beogradit me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Uashingtoni i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me furnizues të besueshëm të teknologjisë, ndërsa Komisioni Europian rikujtoi detyrimin e vendit kandidat për t’u përshtatur me rregullat e BE-së.

“Si pjesë e procesit të anëtarësimit, Serbia është zotuar ta harmonizojë legjislacionin e saj me këto rregulla”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Europian.

Reklamë Ola

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012, por gjatë muajve të fundit ka thelluar ndjeshëm bashkëpunimin me Pekinin në teknologjitë e avancuara.

Ekspertët e Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë paralajmërojnë se integrimi në ekosistemet teknologjike kineze mund ta bëjë më të ndërlikuar përshtatjen e ardhshme të Serbisë me kërkesat e Brukselit.

Reklamë InterMedika

Marrëveshjet e Vuçiçit me Kinën

Në maj, në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe atij kinez Xi Jinping, në Pekin u nënshkrua një memorandum për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e inteligjencës artificiale.

Dokumenti u nënshkrua nga drejtori i Zyrës për Teknologji të Informacionit dhe Qeverisje Elektronike të Serbisë, Mihajlo Jovanoviç, dhe u miratua nga Komisioni Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma i Kinës.

Sipas Jovanoviçit, bashkëpunimi në inteligjencën artificiale, robotikë dhe inovacion digjital përbën një nga segmentet më dinamike të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kinës.

Gjatë vizitës së Vuçiçit në Pekin u nënshkruan më shumë se 30 marrëveshje dhe memorandume. Serbia u paraqit si një qendër e mundshme rajonale për investimet kineze në industri, logjistikë dhe zhvillim teknologjik.

Në korrik, Beogradi ndërmori një hap tjetër, duke u bërë një nga shtetet themeluese të Organizatës Botërore për Bashkëpunim në Inteligjencën Artificiale, e njohur si WAICO.

Marrëveshja u nënshkrua në Shangai nga përfaqësues të 29 vendeve. Nga shtetet europiane morën pjesë vetëm Serbia, Rusia dhe Bjellorusia, ndërsa organizatës iu bashkua më pas edhe Irani.

Përmes WAICO-s, Serbia pritet të sigurojë qasje falas në modele të inteligjencës artificiale me burim të hapur, të përdorë teknologji kineze si alternativë më të lirë ndaj produkteve perëndimore dhe të dërgojë ekspertë për trajnim në Kinë.

Marrëveshjet përkojnë me përpjekjet e Beogradit për të përshpejtuar zhvillimin e kapaciteteve kombëtare. Në fillim të vitit 2025, qeveria serbe miratoi Strategjinë për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale deri në vitin 2030, e cila parashikon investime në kërkime, infrastrukturë kompjuterike dhe përdorimin e AI-së në sektorin publik.

Megjithatë, autoritetet serbe nuk kanë bërë të ditur nëse sistemet kineze do të përdoren nga institucionet shtetërore. Memorandumi i nënshkruar në Pekin nuk është bërë publik.

Uashingtoni kërkon “furnizues të besueshëm”

Departamenti amerikan i Shtetit nuk komentoi drejtpërdrejt marrëveshjet e Beogradit me Pekinin, por e inkurajoi Serbinë të zgjedhë partnerë si Shtetet e Bashkuara.

“SHBA-ja e inkurajon Serbinë të zhvillojë potencialin e saj të plotë dhe të garantojë sigurinë kombëtare, duke zgjedhur burime dhe furnizues të besueshëm të pajisjeve dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale”, thuhet në përgjigje.

Sipas Departamentit të Shtetit, sistemet amerikane të inteligjencës artificiale mbështeten te transparenca, zhvillimi i përgjegjshëm dhe mungesa e manipulimeve të imponuara nga autoritetet shtetërore.

Uashingtoni ka paralajmëruar vazhdimisht se avancimi teknologjik i Kinës mund të përdoret për modernizimin e ushtrisë dhe zgjerimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes.

Për këtë arsye, që nga viti 2022, SHBA-ja ka kufizuar qasjen e Kinës në çipat më të avancuar për inteligjencën artificiale, sistemet e superkompjuterëve dhe pajisjet e nevojshme për prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Brukseli rikujton detyrimet e anëtarësimit

Komisioni Europian theksoi se Serbia duhet të harmonizohet me kuadrin rregullator të BE-së, përfshirë Aktin Europian për Inteligjencën Artificiale.

Rregullat nuk zbatohen vetëm për kompanitë me seli në BE, por edhe për ofruesit nga vendet e treta që vendosin sisteme ose modele të inteligjencës artificiale në tregun europian.

Përmes këtij akti, Brukseli synon që teknologjitë e avancuara të zhvillohen dhe përdoren në përputhje me standardet demokratike, transparencën, privatësinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Partneriteti i Serbisë me Kinën nuk përbën automatikisht shkelje të detyrimeve të saj ndaj politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Megjithatë, ai ngre pikëpyetje mbi orientimin strategjik të Beogradit.

“Shqetësimi kryesor është se Serbia gradualisht po integrohet në ekosisteme teknologjike dhe qeverisëse që mund të ndryshojnë nga ato europiane”, vlerësojnë analistet Bojana Zoriç dhe Clotilde Bomon nga Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë.

Sipas tyre, harmonizimi i Serbisë me politikën e përbashkët europiane mbetet i paplotë dhe larg nivelit të kënaqshëm.

Rreziku i varësisë teknologjike

Ekspertët rikujtojnë se Serbia përdor prej vitesh teknologjinë “Safe City” të kompanisë kineze Huawei, e cila ka ngritur shqetësime për mbikëqyrjen masive dhe sigurinë e të dhënave.

Ndërthurja e inteligjencës artificiale me të dhënat e ndjeshme, infrastrukturën e mbikëqyrjes dhe varësinë nga furnizuesit e huaj mund të rrisë rreziqet e sulmeve kibernetike dhe spiunazhit.

Varësia bëhet më e thellë kur i njëjti ekosistem siguron infrastrukturën, pajisjet, shërbimet “cloud”, softuerët, modelet e inteligjencës artificiale dhe ekspertizën teknike.

Kur këto nivele lidhen me njëra-tjetrën, kalimi te një sistem tjetër bëhet më i kushtueshëm, teknikisht i vështirë dhe politikisht kompleks.

Për këtë arsye, Instituti i BE-së rekomandon që Brukseli t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor alternativa konkrete ndaj teknologjisë kineze, përmes qasjes në kapacitetet kompjuterike europiane, programeve kërkimore dhe investimeve në sigurinë kibernetike.

Partneriteti shumëvjeçar me Huawei-n

Bashkëpunimi teknologjik mes Serbisë dhe Kinës nisi të intensifikohej në vitin 2019, kur Zyra serbe për Teknologji të Informacionit nënshkroi një memorandum me Huawei-n për krijimin e një platforme kombëtare të inteligjencës artificiale.

Në vitin 2021, Serbia themeloi Institutin për Inteligjencë Artificiale, ndërsa në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevc vijoi zhvillimi i platformës kombëtare të mbështetur në teknologjinë e Huawei-t.

Hapi më i fundit në këtë partneritet ishte hapja më 29 gusht e një fabrike robotësh humanoidë në Shabac, në perëndim të Serbisë. Robotët e prodhuar në këtë fabrikë pritet të eksportohen në tregun e Bashkimit Europian.

Afrimi me Kinën i ofron Serbisë qasje më të lirë në teknologji dhe mundësi të reja ekonomike, por njëkohësisht mund të krijojë pengesa serioze në procesin e integrimit europian dhe në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.