Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e së Drejtës Evropiane (ERA), e cila synon forcimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të prokurimit dhe përafrimin e mëtejshëm të praktikave të prokurimit publik me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas marrëveshjes, e cila u nënshkrua nga kreu i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, ERA do të mbështesë OBP-në në realizimin e një vlerësimi të strukturuar të nevojave për trajnim dhe zhvillim profesional të stafit të prokurimit. Ky proces do të identifikojë fushat prioritare për ngritjen e kapaciteteve dhe do të orientojë programet e ardhshme të trajnimit në përputhje me zhvillimet më të fundit të legjislacionit dhe praktikave evropiane në fushën e prokurimit publik.

Bashkëpunimi vjen në funksion të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke synuar rritjen e profesionalizmit dhe përgatitjes së zyrtarëve të prokurimit për zbatimin e standardeve dhe kuadrit rregullator të BE-së.
Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua transformimit digjital të prokurimit publik, zhvillimit të infrastrukturës teknologjike dhe përdorimit të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale për procedurat e prokurimit, si dhe integrimit më të ngushtë të Shqipërisë me tregun evropian të prokurimit publik.
Palët ranë dakord të eksplorojnë mundësi të tjera bashkëpunimi në të ardhmen, ndërsa aktivitetet trajnuese do të zhvillohen në Trier, Tiranë ose në format online, në varësi të nevojave që do të evidentohen gjatë procesit të vlerësimit.
Sipas OBP-së, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në investimin e vazhdueshëm për zhvillimin profesional të ekspertëve të prokurimit, me synim rritjen e cilësisë, inovacionit dhe përafrimin e praktikave shqiptare me standardet evropiane.


