Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot konsultime në Elbasan, ku Reforma Administrative-Territoriale do të sjellë bashkimet Elbasan – Cërrik – Belsh dhe Librazhd – Përrenjas. Kreu i qeverisë vuri në dukje se kjo reformë krijon premisa të reja për zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm.
Gjatë dëgjesës me banorë dhe drejtues vendorë të bashkive të qarkut Elbasan, Rama u ndal tek shqetësimet ose kundërshtitë duke theksuar se ato janë njësoj simetrike me shqetësimet dhe kundërshtitë e vitit 2015, kur u bë reforma e parë administrative-territoriale.
“Të njëjtat frikëra, të njëjtat dyshime, ngurrime, dhe sot, tani është ndryshimi që bashkohen bashki, nuk bashkohen komuna – bashki. Koha tregoi që ishin frikëra dhe dyshime të pabazuara, sepse të gjitha komunat përfituan më shumë nga bashkimi”, u shpreh Kryeministri.
Ai vuri në dukje se të gjitha shifrat tregojnë që investimet u rritën dhe, në tërësi, shërbimet u përmirësuan.
“Parafytyrimi që këto bashki ekzistuese do të kthehen si njësi administrative që keni aktualisht është i gabuar, sepse nuk do të bëhen njësi administrative. Pra, në qoftë se Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin, Përrenjasi nuk do të jetë njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit”, sqaroi Kryeministri.
“Ashtu sikundër Cërriku dhe Belshi, duke u bashkuar me Elbasanin, nuk do të jenë njësi administrative të Elbasanit. Për këtë arsye është krijuar qyteti si njësi administrimi. Pra, është bashkia, është qyteti, pastaj janë njësitë administrative. Dhe faktikisht raporti midis qytetit dhe njësive përkatëse administrative do të ruhet në funksion të mirëkoordinimit të shërbimeve, etj., etj”, theksoi Rama.
Po ashtu, Rama garantoi se asnjë nga shërbimet ekzistuese nuk do të shkurtohet.
“Faktikisht, bashkitë ekzistuese kryejnë shumë më pak funksione sesa duhet të kryejnë dhe qëllimi është që të rritet kapaciteti për të kryer më shumë funksione”, tha Rama.


