Shqipëria, dikur një prej vendeve më të izoluara të Evropës, po përjeton një transformim të shpejtë dhe po kthehet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët ndërkombëtarë. Kështu e përshkruan gazetari Tim Johnson në një reportazh për median kanadeze “Toronto Star”, ku evidenton natyrën, historinë, kulturën dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar vendi gjatë dekadave të fundit.
Rritja e turizmit pasqyrohet edhe në shifra. Sipas të dhënave të INSTAT të cituara në shkrim, numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë për pushime ose vizita familjare është më shumë se dyfishuar nga viti 2021 deri në vitin 2025, duke kaluar nga 5.2 milionë në rreth 11 milionë.
Autori e përshkruan Shqipërinë si një vend ku brenda distancave relativisht të shkurtra peizazhi ndryshon rrënjësisht, nga Alpet Shqiptare dhe zonat malore deri te ujërat blu të Jonit.
Një pjesë të veçantë të reportazhit e zë bregdeti i Himarës. Gjatë një udhëtimi me varkë, Johnson viziton gjire, shpella dhe plazhe të izoluara, mes tyre Filikurin, ndërsa evidenton edhe kontrastin mes banesave tradicionale dhe projekteve të reja turistike që po zhvillohen përgjatë rivierës.
Sipas tij, ritmi i investimeve po e afron bregdetin shqiptar me destinacione të njohura turistike evropiane, si Algarve në Portugali, Bregu i Amalfit në Itali dhe Andaluzia në Spanjë.
Reportazhi ndalet edhe te e kaluara komuniste e Shqipërisë. Për rreth katër dekada, vendi u drejtua nga Enver Hoxha dhe ndoqi një politikë të fortë izolimi ndërkombëtar. Sot, kjo tablo ka ndryshuar rrënjësisht, ndërsa Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga Evropa dhe Amerika e Veriut.
Interesi nga Kanadaja është rritur gjithashtu, ndërsa në qershor u vendos për herë të parë një lidhje ajrore direkte sezonale mes Torontos dhe Tiranës, e operuar nga “Air Transat”.
Gjatë qëndrimit 10-ditor në Shqipëri, Johnson viziton Tiranën, Beratin, Gjirokastrën dhe jugun e vendit. Në kryeqytet ai evidenton zhvillimin urban dhe ndërtesat moderne, ndërsa Berati dhe Gjirokastra paraqiten si dëshmi të trashëgimisë së pasur historike dhe arkitekturore.
Në Berat, reportazhi veçon bashkëjetesën historike mes traditës islame dhe asaj të krishterë ortodokse, kalanë dhe shtëpitë karakteristike osmane. Në Gjirokastër, vëmendja përqendrohet te rrugët me kalldrëm, kalaja dhe pamjet mbi luginën e Drinos.
Autori evidenton gjithashtu kontrastin mes brezave. Të rinjtë shqiptarë, sipas reportazhit, jetojnë në një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i prindërve të tyre gjatë komunizmit, me më shumë liri për të udhëtuar, për t’u shprehur dhe për të zgjedhur të ardhmen profesionale.
Një tjetër avantazh i Shqipërisë konsiderohen kostot ende relativisht të përballueshme krahasuar me destinacione të tjera të Mesdheut. Kjo, së bashku me mbipopullimin turistik dhe çmimet më të larta në vende si Italia dhe Kroacia, po orienton më shumë vizitorë nga Britania e Madhe dhe Evropa Veriore drejt Shqipërisë.
Megjithatë, zhvillimi i shpejtë sjell edhe ndryshime të mëdha. Sipas personazheve të intervistuar në reportazh, pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme mund të transformojnë ndjeshëm vendin si rezultat i turizmit, investimeve dhe rritjes ekonomike.
Johnson e mbyll udhëtimin me një skenë që përmbledh kontrastet e Shqipërisë së sotme: teksa në horizont shfaqen kullat moderne të Tiranës, automjeti ndalet për shkak të një tufe dhish që kalon në rrugë.
Për autorin, ky kombinim mes tradicionales dhe modernes është pikërisht një prej elementeve që e bën Shqipërinë të veçantë, në një moment kur vendi po kalon me shpejtësi nga një destinacion dikur pak i njohur në një prej emrave më të përfolur të turizmit evropian.


