The Washington Post: Shqipëria nuk është “Italia e lirë”, por një destinacion unik që mahnit turistët

06 Aug 2026 09:04
Shpërndaje:

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë. Në një reportazh të publikuar nga The Washington Post, vendi përshkruhet si një destinacion që nuk duhet parë thjesht si një alternativë më e lirë e Italisë, Greqisë apo Kroacisë, por si një vend me identitet të veçantë, kulturë autentike dhe përvoja unike për vizitorët.

Gazetarja e së përditshmes amerikane rrëfen përvojën e saj gjatë një udhëtimi njëjavor në veri dhe jug të Shqipërisë, duke theksuar se bukuria natyrore, mikpritja tradicionale dhe autenticiteti janë elementët që e bëjnë vendin të dallohet nga destinacionet e tjera mesdhetare.

Reportazhi nis në Qarkun e Shkodrës, ku peizazhet me liqene të qeta, fshatrat tradicionale dhe bujtinat familjare ofrojnë një atmosferë të qetë, larg turizmit masiv. Një nga ndalesat kryesore ishte “Bujtina Rragam”, ku autorja vlerëson mikpritjen shqiptare, gatimet tradicionale dhe lidhjen e ngushtë me natyrën, duke i cilësuar ato ndër përvojat më të veçanta të udhëtimit.

Reklamë Ola

Më pas udhëtimi vijon drejt rivierës shqiptare, në Himarë dhe Livadh, ku plazhet me ujëra të kristalta dhe peizazhet bregdetare vazhdojnë të tërheqin një numër në rritje turistësh nga e gjithë bota. Megjithatë, artikulli vëren se zhvillimi i shpejtë i turizmit po transformon vijën bregdetare, me ndërtimin e hoteleve, resorteve dhe projekteve të reja infrastrukturore.

Sipas të dhënave të cituara nga The Washington Post, Shqipëria priti mbi 11.6 milionë vizitorë të huaj gjatë vitit 2024, duke regjistruar një rritje prej më shumë se 82% krahasuar me vitin 2019. Kjo rritje e konsiderueshme po e vendos vendin mes destinacioneve turistike me zhvillimin më të shpejtë në rajon.

Reklamë InterMedika

Artikulli thekson se autoritetet shqiptare synojnë të zhvillojnë një model turizmi të qëndrueshëm, duke shmangur mbingarkesën që ka prekur disa prej destinacioneve më të njohura të Mesdheut dhe duke ruajtur karakterin natyror e kulturor të vendit.

Në përfundim, The Washington Post arrin në konkluzionin se Shqipëria nuk duhet krahasuar me fqinjët e saj, pasi vlera më e madhe e saj qëndron pikërisht te autenticiteti. Sipas autores, kujtimet më të bukura nga udhëtimi nuk lidhen vetëm me plazhet apo peizazhet, por me mikpritjen e njerëzve, jetën tradicionale në fshat, kuzhinën vendase dhe përvojat që e bëjnë Shqipërinë një destinacion unik në hartën turistike të Evropës.