Tebas sulmon FIFA-n dhe Infantinon: Botërori po i shërben reklamave, jo futbollit
Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, ka kritikuar ashpër FIFA-n dhe presidentin e saj, Gianni Infantino, duke e akuzuar se po drejton futbollin sipas interesave të organizatës dhe jo të sportit.
Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Tebas u ndal te organizimi i Botërorit 2026, duke kritikuar veçanërisht ndërprerjet gjatë ndeshjeve.
“FIFA i bën gjërat si të dojë, për atë që do, për interesat e veta, vetëm jo për futbollin. Edhe kur kanë nevojë për një pushim 27-minutësh, e bëjnë. Pushimet e hidratimit janë një turp. Ne në La Liga i kemi, por vetëm kur bën vërtet shumë nxehtë. Fushat e Dallasit, Los Angelesit dhe Atlantës kishin ajër të kondicionuar. Unë vesha një bluzë. Ishte thjesht një pushim për publicitet”, deklaroi Tebas.
Ai tha se mënyra se si FIFA merr vendime tregon mungesë konsultimi dhe dëmton futbollin.
“Kjo tregon qartë se drejtohemi nga një institucion që vendos dhe bën çfarë të dojë, ndjek vetëm interesat e veta, pa menduar dhe pa u konsultuar. Kështu dëmtohet futbolli”, u shpreh ai.
Tebas komentoi edhe rastin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke e cilësuar atë një episod shumë serioz.
“Bëhet fjalë për një episod shumë të rëndë. Patën fat që Belgjika i eliminoi SHBA-të, sepse në të kundërt do të krijohej një çështje që do t’i kushtonte vendin Infantinos. Por këto gjëra janë vetëm maja e ajsbergut”, tha ai.
Presidenti i La Liga-s u shpreh gjithashtu se Gianni Infantino duhet të largohet nga drejtimi i FIFA-s, duke argumentuar se sistemi aktual nuk lejon një garë të vërtetë për postin e presidentit.
“Mendoj se e ka plotësuar kohën e vet. Ka mbështetjen e sistemit, të federatave. Nuk ka një kandidat opozite, sepse askush nuk do të kandidojë për të humbur. Ky është një sistem i sëmurë në rrënjë. Këto ditë në SHBA kam dëgjuar shumë njerëz kundër Infantinos. E thonë, por nuk mund të bëjnë asgjë. Nuk e di nëse është më keq heshtja”, përfundoi Tebas.







