Qeveria miraton Këshillin Fiskal, rregulla të reja për kriptoasetet dhe kanabisin

02 Oct 2026 • 21:54
Shpërndaje:

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të premte një paketë vendimesh dhe projektligjesh që prekin financat publike, tregun e kriptoaseteve, sektorin financiar, veprimtaritë me kanabisin për qëllime mjekësore e industriale, si dhe një sërë çështjesh sociale.

Një prej nismave kryesore është projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, i cili parashikon krijimin e një institucioni publik të pavarur me përgjegjësi në monitorimin e disiplinës fiskale, transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike.

Sipas qeverisë, kuadri i ri synon përafrimin me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Reklamë Ola

Një tjetër projektligj i miratuar lidhet me tregjet e kriptoaseteve. Ai përcakton rregullat për ofertën publike, pranimin e kriptoaseteve për tregtim në platformat përkatëse, si dhe kërkesat që duhet të plotësojnë ofruesit e shërbimeve në këtë sektor.

Në sektorin financiar, qeveria miratoi edhe projektligjin për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare.

Reklamë InterMedika

Në mbledhje u miratuan gjithashtu rregulla më të hollësishme për mbikëqyrjen e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara që lidhen me bimën e kanabisit dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Paketa e vendimeve përfshin edhe përcaktimin e përmbajtjes dhe funksionimit të Regjistrit të Vullnetarizmit, si dhe procedurat e raportimit nga ofruesit e vullnetarizmit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit.

Po ashtu, janë miratuar rregulla për organizimin dhe aksesin në regjistrin elektronik të kujdesit alternativ në familje, si dhe procedurat për monitorimin e situatës së fëmijëve të vendosur në këtë formë kujdesi.

Vendimet dhe projektligjet e miratuara më 2 tetor 2026 do të ndjekin më tej procedurat ligjore përkatëse, ndërsa projektligjet do t’i kalojnë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.