Çmimet e naftës dhe karburanteve kanë nisur të bien pas vendimit të koordinuar për të nxjerrë në treg 100 milionë fuçi naftë bruto dhe produkte të rafinuara nga rezervat emergjente, deklaroi drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol.
“Bëmë sot një hap lidhur me naftën dhe karburantet. U zhvillua një takim me liderët dhe njoftuam se do të nisim sërish vënien në dispozicion të 100 milionë fuçive”, tha Birol gjatë një aktiviteti në Stamboll.
Sipas kreut të IEA-së, reagimi i tregjeve ka qenë i menjëhershëm dhe çmimet kanë nisur të ulen pas njoftimit. Reuters raportoi se çmimi i naftës Brent ra në rreth 100.50 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate zbriti në rreth 90.85 dollarë.
Vendimi parashikon që rezervat të hidhen në treg përgjatë katër muajve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e naftës diesel pritet të vihet në dispozicion brenda 20 ditëve të para. Masa synon të lehtësojë presionin mbi tregjet globale të energjisë dhe të frenojë rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Shpresoj që ky të jetë një hap i dobishëm si për botën, ashtu edhe për Turqinë”, deklaroi Birol.
Deklaratat u bënë në Stamboll gjatë konferencës “Financing the Transformation: Turkey on the Road to COP31”, kushtuar financimit të transformimit energjetik dhe përgatitjeve të Turqisë drejt konferencës së ardhshme të OKB-së për klimën.
Vendimi vjen në një periudhë kur tregjet e energjisë po përballen me presione të forta mbi furnizimin dhe çmimet. IEA kishte ndërmarrë edhe në mars një ndërhyrje rekord, duke koordinuar nxjerrjen e 400 milionë fuçive nga rezervat emergjente për shkak të ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme.


