Lëvizja e udhëhequr nga studentët në Serbi po përgatitet të sfidojë Partinë Progresiste Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ndërsa një sondazh i fundit e rendit ngushtë përpara forcës që ka dominuar politikën e vendit prej vitit 2012.
Sondazhi i publikuar të martën nga “Mendimi i Ri Politik Serb” e vlerëson mbështetjen për Listën Studentore në 44,5 për qind, kundrejt 42,7 për qind për SNS-në. Sipas POLITICO-s, është hera e parë në më shumë se një dekadë që një listë opozitare kryeson një sondazh kombëtar përpara zgjedhjeve.
Megjithatë, drejtuesi i këtij botimi, Đorđe Vukadinović, paralajmëroi se shifrat pasqyrojnë opinionin në momentin e matjes dhe nuk përbëjnë parashikim të rezultatit.
Ai tha se kishte shqyrtuar edhe mundësinë e mospublikimit të tyre, për shkak të sulmeve të ashpra të qeverisë ndaj gjetjeve të mëparshme. Gjatë fushatës, tabloidet proqeveritare dhe figura të SNS-së i kanë akuzuar sondazhistët e pavarur se publikojnë kërkime të rreme.
Lëvizja studentore lindi pas tragjedisë së nëntorit 2024 në Novi Sad, kur shembja e strehës së një stacioni hekurudhor të saporinovuar shkaktoi vdekjen e 16 personave, mes tyre dy fëmijë.
Homazhet për viktimat u kthyen në protesta masive për përgjegjësi institucionale. Mobilizimi arriti kulmin në mars 2025, kur më shumë se 325 mijë persona morën pjesë në një tubim në Beograd. Studentët kanë kërkuar vazhdimisht zgjedhje të parakohshme.
“Brezi Z dhe studentët po ngrihen dhe po luftojnë për një qeveri që investon në të ardhmen e tyre”, tha për POLITICO-n Kosta Golubović, student 21-vjeçar i drejtësisë në Universitetin e Novi Sadit.
Sipas tij, fushata e Listës Studentore është mbështetur në muaj të tërë takimesh derë më derë, përfshirë në zona ku partia në pushtet ka pasur tradicionalisht mbështetje të fortë.
“Kemi energjinë. Refuzuam ta pranonim se kjo ishte një kauzë e humbur”, u shpreh ai.
Përballë akuzave të qeverisë se studentët nuk kanë përvojë për të drejtuar vendin, lëvizja ndërtoi një listë kandidatësh me mjekë, inxhinierë dhe profesorë, të përzgjedhur mes profesionistëve jashtë politikës.
Igor Novaković, nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, vlerëson se një nga avantazhet e lëvizjes është përqendrimi te shteti i së drejtës dhe shmangia e çështjeve që tradicionalisht kanë përçarë elektoratin serb.
Sipas tij, studentët kanë arritur të krijojnë një platformë të përbashkët, pa e lidhur mobilizimin me një figurë të vetme politike.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe organizimi në rrjetet sociale. Sipas përllogaritjeve të vetë lëvizjes, rreth 900 krijues përmbajtjeje, me një numër të përgjithshëm prej mbi 40 milionë ndjekësish, janë përfshirë në mbështetjen e saj.
Motoja “Studenti pobeđuju!” — “Studentët do të fitojnë!” — shfaqet gjerësisht edhe në komentet e postimeve të partisë në pushtet.
Vuçiçi, i cili sipas raportimit është larguar nga presidenca për të kandiduar për kryeministër, ka zhvilluar gjithashtu një fushatë intensive në terren dhe në internet. Përmes videove në TikTok, transmetimeve të drejtpërdrejta dhe reklamave politike, ai ka synuar të përforcojë imazhin e afërsisë me qytetarët.
Zgjedhjet zhvillohen edhe në sfondin e marrëdhënieve të ndërlikuara të Serbisë me Perëndimin. Megjithëse vend kandidat për anëtarësim në BE, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. POLITICO vëren se udhëheqësit evropianë kanë reaguar ngadalë ndaj protestave studentore, duke i dhënë përparësi stabilitetit në marrëdhëniet me Beogradin.
Novaković paralajmëron se një fitore e Listës Studentore do të pasohej nga një tranzicion i vështirë, për shkak të strukturave shtetërore dhe burokracisë së konsoliduar gjatë viteve të qeverisjes së SNS-së.
Por, sipas tij, edhe një fitore e Vuçiçit do ta linte pushtetin përballë pasojave të krizës.
“SNS-ja dhe qeveria janë rëndë të dëmtuara. Edhe nëse nuk humbin, do të përballen me një periudhë legjitimiteti dhe autoriteti të dobësuar”, tha ai.


