Lea Ypi fiton Çmimin Hannah Arendt për Mendimin Politik

23 Oct 2026 • 11:02
Shpërndaje:

Filozofja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi është shpallur fituese e Çmimit Hannah Arendt për Mendimin Politik për vitin 2026. Vlerësimi nderon kontributin e saj filozofik, politik dhe letrar në debatin mbi lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor.

Lajmi u bë i ditur nga London School of Economics and Political Science (LSE), ku Ypi është profesore e Politikës dhe Filozofisë.

Juria ndërkombëtare e cilësoi atë si një nga mendimtaret politike më të shquara të kohës sonë, duke veçuar aftësinë për të ndërthurur përvojën personale me reflektimin filozofik dhe analizën historike.

Reklamë Ola

Në arsyetimin e vendimit, juria vlerësoi mënyrën se si Ypi lidh jetën nën një sistem totalitar me pyetjet mbi të vërtetën, lirinë dhe kushtet që mundësojnë veprimin politik. Sipas saj, kjo ndërthurje e kujtesës dhe gjykimit kritik ka krijuar një formë të pavarur të mendimit politik publik.

Duke reaguar për çmimin, Ypi tha se ndihej e nderuar nga një vlerësim që mban emrin e Hannah Arendt, një prej figurave më me ndikim në mendimin politik të shekullit XX.

Reklamë InterMedika

Ajo theksoi se puna e Arendt mbi Immanuel Kant ka ndikuar në mënyrën se si e kupton Iluminizmin: si një mision politik ende të papërmbushur, përtej një periudhe historike.

“Në një kohë kur praktika demokratike është kaq e brishtë, thirrja e saj për të marrë përgjegjësi për botën që ndajmë është më urgjente se kurrë”, u shpreh Ypi.

Autorja shqiptare fitoi njohje të gjerë ndërkombëtare me librin “Free: Coming of Age at the End of History”, botuar në vitin 2021. Vepra ndërthur rrëfimin për fëmijërinë dhe rininë në Shqipëri, gjatë rënies së komunizmit dhe tranzicionit, me reflektimin mbi lirinë dhe ideologjinë.

Libri u përfshi në listën e ngushtë për çmimin Costa Biography Award. Në vitin 2025, Ypi botoi “Indignity: A Life Reimagined”, ku vijon eksplorimin e historisë personale dhe familjare përmes çështjeve të dinjitetit, kujtesës dhe politikës.

Çmimi Hannah Arendt nderon autorë dhe intelektualë që kontribuojnë në mendimin dhe veprimin politik publik, në traditën e filozofes gjermano-amerikane.

Ceremonia e dorëzimit do të zhvillohet më 10 dhjetor 2026 në Bashkinë e Bremenit, në Gjermani.