Kryeministri Edi Rama u ka përsëritur studentëve ftesën për dialog, duke deklaruar se është i gatshëm të takohet me ta në çdo vend dhe në çdo orë për të diskutuar kundërshtitë e tyre.
“Përsëri e përsëri, ftesa për dialog, për të qenë me këdo qoftë që është për dialog, është këtu. Jam i gatshëm në çdo vend, në çdo orë, për t’u takuar, për shkëmbim dhe ballafaqim me ata që kanë kundërshti”, u shpreh ai.
Krahas ftesës, Rama paralajmëroi se personat e përfshirë në akte dhune gjatë protestave do të përballen me përgjegjësi penale.
Ai akuzoi persona të maskuar se janë vendosur në krye të studentëve dhe e lidhi dhunën me atë që e cilësoi si “importim të terrorit të Antifas”.
“Kush e mori peng Tiranën, duke importuar terrorin e Antifas dhe duke u vënë në ballë të studentëve me fytyrën e mbuluar, do të përgjigjet penalisht”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama tha se zhvillimet e fundit nuk do të ndryshojnë drejtimin e vendit.
“Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon dhe ne do ta çojmë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit”, u shpreh ai.


