Strehimi social, shteti do të subvencionojë deri në 50% të qirasë

19 Nov 2026 • 09:37
Shpërndaje:

Qeveria synon të zgjerojë mbështetjen për familjet dhe të rinjtë që përballen me vështirësi në sigurimin e një banese, përmes garancive financiare për kreditë, subvencionimit të qirasë dhe krijimit të një fondi të posaçëm për strehimin social dhe të përballueshëm.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit për strehimin social dhe të përballueshëm, bëri të ditur se nisma parashikon instrumente të reja financiare për qytetarët që kanë të ardhura të rregullta, por nuk disponojnë kursimet e nevojshme për blerjen e një banese.

Një nga risitë kryesore është përdorimi i garancisë financiare për mbulimin e kontributit fillestar që kërkohet nga bankat gjatë marrjes së një kredie për strehim.

Reklamë Ola

Sipas ministres, ky instrument do t’u vijë në ndihmë veçanërisht çifteve të reja dhe familjeve që janë në gjendje të përballojnë këstet mujore, por nuk kanë mundësi të sigurojnë parapagimin e kërkuar.

“Një çift që mund të ketë dy paga të rregullta dhe të jetë në gjendje të paguajë këstet mujore në bankë, mund të mos ketë kursimet e nevojshme për të parapaguar atë shumë që i kërkon banka”, deklaroi Ibrahimaj.

Reklamë InterMedika

Aplikimet për këtë program parashikohet të kryhen përmes portalit e-Albania, ku qytetarët do të plotësojnë formularin elektronik dhe do të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm. Pas shqyrtimit nga bashkitë dhe verifikimit nga Agjencia Kombëtare e Territorit dhe Strehimit Social, përfituesit do të vijojnë procedurat pranë bankave.

Ministrja theksoi se qytetarëve nuk do t’u kërkohet të dorëzojnë dokumente që administrata shtetërore i disponon tashmë, pasi të dhënat për përbërjen familjare, punësimin, pagat dhe pronësinë do të sigurohen nga regjistrat përkatës.

Një tjetër masë e rëndësishme është subvencionimi i qirasë, i cili synon të mbështesë veçanërisht të rinjtë që zhvendosen nga qytetet e tyre për të studiuar ose për të punuar.

Sipas projektligjit, shteti do të mbulojë deri në 50% të qirasë së pranueshme, bazuar në vlerat e përcaktuara nga këshillat bashkiakë dhe kriteret e programit.

Ibrahimaj solli si shembull një banesë me qira të pranueshme prej 40 mijë lekësh në muaj, për të cilën mbështetja shtetërore mund të arrijë deri në 20 mijë lekë.

Aplikimet për subvencionimin e qirasë do të realizohen përmes platformës “Shqipëria Ime”, ndërsa përfituesit do të përzgjidhen sipas një sistemi pikëzimi dhe kuotave të miratuara.

Për financimin e këtyre programeve, projektligji parashikon krijimin e Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, i cili do të bashkojë burime nga buxheti i shtetit, sektori privat, të ardhurat e projekteve të strehimit dhe burime të tjera të ligjshme.

Ministrja bëri të ditur se aktualisht ekzistojnë 15,5 miliardë lekë kontribute të derdhura nga ndërtuesit për strehimin social, të cilat nuk janë përdorur nga autoritetet bashkiake.

Sipas saj, fondi i ri do të mundësojë përdorimin më efikas të këtyre burimeve, ndërsa paratë e pashpenzuara brenda vitit do të mund të mbarten në vitin pasardhës për financimin e projekteve të strehimit.

Një nga modelet që synohet të financohet është skema 30-40-30, sipas së cilës 30% e banesave në projektet e reja do të dedikohen për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% do të ofrohen në tregun e lirë.

Të ardhurat nga shitja e banesave në tregun e lirë parashikohet të riinvestohen në projekte të tjera strehimi, përfshirë ndërtimin e lagjeve të reja dhe subvencionimin e kredive.

Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e Bordit për Strehimin Social dhe Strehimin e Përballueshëm, i cili do të përcaktojë prioritetet dhe financimin e programeve, ndërsa administrimi i fondit dhe zbatimi i vendimeve do të kryhen nga Agjencia Kombëtare e Territorit dhe Strehimit Social.

Ibrahimaj theksoi se një nga objektivat kryesore të reformës është thjeshtimi i procedurave administrative, në mënyrë që qytetarët të aplikojnë elektronikisht dhe të shmangin burokracitë.

Sipas ministres, politikat e reja të strehimit synojnë jo vetëm të rrisin mundësitë për sigurimin e një banese, por edhe të ulin shpenzimet mujore të familjeve për kreditë dhe qiratë, duke lehtësuar përballimin e kostos së jetesës.