Shqipëria firmos dy marrëveshje energjetike, Karakaçi: SHBA mbështet gazsjellësin dhe Skavicën

19 Nov 2026 • 20:02
Shpërndaje:

Shqipëria ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme në sektorin energjetik gjatë Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik, të zhvilluar në Varshavë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Departamentit Amerikan të Energjisë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se marrëveshjet lidhen me zhvillimin e një gazsjellësi rajonal që do të ndërlidhë disa vende të Ballkanit me gazsjellësin TAP, si dhe me vijimin e projektit hidroenergjetik të Skavicës.

Përmes një postimi në Facebook, Karakaçi theksoi se marrëveshja e parë parashikon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për projektin e gazsjellësit që do të lidhë Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë, duke krijuar mundësinë e ndërlidhjes së këtij korridori me TAP-in.

Reklamë Ola

Sipas ministrit, përfshirja amerikane përbën një zhvillim të rëndësishëm për realizimin e projektit, i cili konsiderohet një nyje strategjike për infrastrukturën energjetike të rajonit.

“Lajmi i mirë është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira në këtë projekt dhe e konsiderojnë si nyje strategjike në rajon”, deklaroi Karakaçi.

Reklamë InterMedika

Marrëveshja e dytë lidhet me vijimin e projektit të Skavicës, për të cilin po zhvillohen studimet e nevojshme në bashkëpunim me kompaninë amerikane Bechtel.

Ministri bëri të ditur se studimet mjedisore dhe ato të fizibilitetit janë drejt përfundimit, ndërsa po analizohen edhe disa elemente teknike që synojnë ta bëjnë projektin të financueshëm.

“Kemi ecur mirë aty, po shikojmë edhe disa elemente të tjera teknike për ta bërë tashmë projektin të financueshëm”, u shpreh ai.

Në kuadër të ministerialit, Karakaçi zhvilloi edhe takime dypalëshe me homologë dhe zyrtarë të lartë të sektorit energjetik.

Gjatë takimit me ministren bullgare të Energjisë, palët diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Karakaçi njoftoi se në muajin dhjetor pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrive përgjegjëse për energjinë në Shqipëri dhe Bullgari.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte zhvillimi i rrjetit rajonal të transmetimit të energjisë elektrike.

Sipas ministrit, linja e transmetimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka përfunduar, ndërsa vijon puna për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit në Maqedoninë e Veriut, me synim krijimin e një korridori të ndërlidhur energjetik mes Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Karakaçi zhvilloi gjithashtu takime me zyrtarë amerikanë të Departamentit të Energjisë, ku u diskutuan mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në sektorin energjetik shqiptar.

Ministri vlerësoi se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, ndërsa investimet e huaja kanë ndikuar në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, veçanërisht në energjinë e rinovueshme.

Ai theksoi se vendi po avancon gjithashtu projektet për prodhimin e energjisë nga era, duke synuar diversifikimin e burimeve energjetike dhe tërheqjen e investimeve të reja ndërkombëtare.

Sipas Karakaçit, zhvillimet e fundit dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë e pozicionojnë Shqipërinë në një moment të favorshëm për forcimin e sektorit energjetik dhe rritjen e rolit të saj në ndërlidhjen rajonale.