Kapitulli 27, Shqipëria synon mbylljen e negociatave në vjeshtën e 2027

20 Nov 2026 • 18:46
Shpërndaje:

Shqipëria synon të përmbyllë negociatat me Bashkimin Europian për Kapitullin 27, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike, në vjeshtën e vitit 2027. Objektivi u bë i ditur nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili theksoi se përmbushja e standardeve europiane kërkon reforma të thella ligjore dhe investime që arrijnë në miliarda euro.

Në një intervistë për “News Line”, Jaupaj e cilësoi Kapitullin 27 si një nga më të vështirët në procesin e integrimit europian, për shkak të kompleksitetit të kërkesave dhe numrit të madh të detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë.

Sipas ministrit, ky kapitull përfshin 11 fusha të veçanta, ndër të cilat menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të ndotura, cilësia e ajrit dhe mbrojtja e mjedisit.

Reklamë Ola

“Kapitulli 27 konsiderohet kapitulli më i vështirë, pasi ka 11 fusha të veçanta, siç është menaxhimi i mbetjeve, uji i pijshëm, i ndotur, ajri etj. Kapitulli 27 ka numrin më të lartë të pikave të ndërmjetme. Prandaj parashikohet që të mbyllet në vjeshtën e vitit 2027. Kemi një vit kohë për të përmbushur kushtet”, deklaroi Jaupaj.

Ministri bëri të ditur se harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian kërkon përshtatjen e rreth 400 akteve ligjore dhe nënligjore, nga të cilat, sipas tij, deri më tani është realizuar afërsisht 70%.

Reklamë InterMedika

Ai shprehu besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë detyrimet e nevojshme brenda afatit të synuar, duke theksuar se procesi kërkon angazhimin e institucioneve qendrore, pushtetit vendor dhe qytetarëve.

Një nga sfidat kryesore mbetet financimi i investimeve të nevojshme për përmbushjen e standardeve europiane në sektorin e mjedisit. Sipas Jaupajt, kostoja e përgjithshme e parashikuar për Kapitullin 27 arrin në 9.8 miliardë euro, një shumë që nuk mund të përballohet vetëm nga buxheti i shtetit.

“Me fondet e kohezionit dhe me buxhetin e BE-së, të mundemi që të plotësojmë nevojat. Vetëm me buxhetin e shtetit është e pamundur”, u shpreh ministri.

Për të ilustruar përmasat e nevojave financiare, Jaupaj krahasoi koston e investimeve mjedisore me buxhetin vjetor të shtetit, të cilin e vlerësoi në rreth 10 miliardë euro.

Ai theksoi se investimet do të përqendrohen kryesisht në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, ndërtimin dhe modernizimin e sistemeve të trajtimit të ujërave të ndotura, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe forcimin e menaxhimit të mbetjeve.

Gjatë intervistës, ministri pranoi gjithashtu se Shqipëria ka ende problematika të pazgjidhura në mbrojtjen e mjedisit, duke përmendur veçanërisht përdorimin e qeseve plastike, të cilat vazhdojnë të tregtohen pavarësisht masave kufizuese.

Sipas tij, strukturat përgjegjëse nuk kanë arritur të përmbushin plotësisht detyrat e tyre për kontrollin e këtij fenomeni.

“Qeset plastike vazhdojnë të jenë ende në treg. Task-Forca nuk e ka plotësuar deri në fund detyrën. Por ne do t’i kthehemi sërish”, deklaroi Jaupaj.

Ministri vlerësoi se gjatë dy dekadave të fundit qasja ndaj mbrojtjes së mjedisit nuk ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e zbatimit të ligjit dhe përmirësimin e politikave mjedisore.

Përmbushja e detyrimeve të Kapitullit 27 konsiderohet një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, jo vetëm për shkak të ndryshimeve ligjore, por edhe për investimet afatgjata që kërkohen në infrastrukturën dhe shërbimet mjedisore.

Qeveria synon të përfundojë negociatat për këtë kapitull në vjeshtën e vitit 2027, ndërsa realizimi i plotë i investimeve dhe standardeve europiane do të kërkojë mbështetje financiare dhe angazhim të vazhdueshëm institucional.