Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon një financim prej 87.2 miliardë lekësh për sektorin e shëndetësisë, me një rritje prej 6 miliardë lekësh krahasuar me financimin aktual.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se fondet do të përdoren për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e aksesit të pacientëve në trajtim dhe investimet në infrastrukturën spitalore.
Sipas ministrit, buxheti parashikon mbulimin e trajtimit me receta të rimbursueshme për mesatarisht 400 mijë pacientë në vit, kryerjen e vizitave të detyrueshme për 28 mijë fëmijë të moshës 0–1 vjeç, si dhe rimbursimin e fishave të diabetit për 67 mijë përfitues.
Një pjesë e rëndësishme e financimit do të orientohet drejt ndërtimit dhe rehabilitimit të më shumë se 20 spitaleve në vend.
Në listën e institucioneve që do të përfitojnë nga investimet përfshihen spitalet në Korçë, Pogradec, Lushnjë, Mat, Dibër dhe Gjirokastër.
“Këto fonde synojnë të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të mbështesin qytetarët përmes furnizimit me barna, pajisjeve mjekësore dhe investimeve në infrastrukturën spitalore”, deklaroi Malaj.
Sipas ministrit, rritja e financimit synon përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe zgjerimin e shërbimeve për qytetarët në të gjithë vendin.


